• петок, 06 март 2026

Televizioni shtetëror iranian i shpalli tradhtarë futbollistet femra

Televizioni shtetëror iranian i shpalli tradhtarë futbollistet femra

Teheran, 6 mars 2026 (MIA) – Televizioni shtetëror iranian të martën e quajti reprezentacionin e futbollit të femrave “tradhtarë të luftës” pasi futbollistet nuk e kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së tyre të Kupës së Azisë kundër Koresë së Jugut në Australi më herët këtë javë.

Irani po garon në turneun kontinental në një kohë kur konflikti ushtarak në vend po përshkallëzohet, pasi SHBA dhe Izraeli nisën sulme ajrore gjatë fundjavës, ku jetën e humbi lideri suprem i Republikës Islamike, Ali Hamnei.

Futbollistet e Iranit qëndruan në heshtje, ndërsa u intonua himni kombëtar iranian kundër Koresë së Jugut të hënën, megjithëse ato e kishin kënduar himnin para humbjes 4-0 nga nikoqiri Australia tre ditë më vonë.

Prezantuesi i televizionit shtetëror iranian, Mohamed Reza Shahbazi në një video të postuar në rrjetet sociale tha se lojtaret treguan mungesë patriotizmi dhe se veprimet e tyre çuan në "turpin më të madh".

"Më lejoni të them vetëm një gjë: tradhtarët gjatë kohës së luftës duhet të trajtohen më ashpër", tha Shahbazi. "Kushdo që ndërmerr një hap kundër një vendi në gjendje lufte duhet të trajtohet më ashpër. Si në këtë rast ku ekipi ynë kombëtar i futbollit të femrave nuk këndoi himnin nacional... këta njerëz duhet të trajtohen më ashpër.

Futbollistet e Iranit do të përballen me Filipinet në ndeshjen e tyre të fundit në grup të dielën.

FOTO: EPA

 

 

Остани поврзан