• четврток, 19 март 2026

Takim Siljanovska - Davkova - Gërliç Radman: Konfirmohet miqësia e fuqishme Maqedoni e Veriut - Kroaci e bazuar në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë

Takim Siljanovska - Davkova - Gërliç Radman: Konfirmohet miqësia e fuqishme Maqedoni e Veriut - Kroaci e bazuar në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë

Shkup, 27 shkurt 2026 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti Gordan Gërliç Radman, ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend. Në takim, siç njofton Kabineti i Siljanovska-Davkovës, të dy konfirmuan miqësinë e fortë Maqedoni e Veriut -Kroaci që të dy vendet e kultivojnë për më shumë se tre dekada, të bazuar në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë dhe të realizuar përmes dialogut politik dhe bashkëpunimit konstruktiv.

Siljanovska-Davkova shprehu mirënjohje të sinqertë për mirëkuptimin dhe mbështetjen e hapur dhe të vazhdueshme të Kroacisë për integrimin e Maqedonisë, si dhe për qëndrimin parimor të Kroacisë se zgjerimi i Unionit me Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet në merita reale, pa bilateralizim dhe veto.

Ministri Radman, thuhet në kumtesë, konfirmoi gatishmërinë e vendit të tij për të kontribuar në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë në kuadër të kritereve të Kopenhagës, duke theksuar se shteti i Maqedonisë mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në mars të vitit 2005, pra disa muaj para Kroacisë.

Bashkëbiseduesit presin që partneriteti të forcohet më tej me Marrëveshjen e Bashkëpunimit Strategjik me Qeverinë e Republikës së Kroacisë, si dhe me vizitën e ardhshme zyrtare të presidentes Siljanovska-Davkova në Kroacinë mike, në fund të marsit. fc/

Foto: Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska - Davkova

 

 

Остани поврзан