Takim i zëvendësministrit Risteski me guvernatorin e Bankës Popullore
- Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Vlatko Stojkoski u takuan me guvernatorin e Bankës Popullore Trajko Slaveski, në të cilin diskutuan për treguesit kryesorë makroekonomikë në vend, stabilitetin e çmimeve dhe financiar, si dhe për tendencat e inflacionit.
Shkup, 25 shkurt 2026 (MIA) - Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës Marjan Risteski dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Vlatko Stojkoski u takuan me guvernatorin e Bankës Popullore Trajko Slaveski, në të cilin diskutuan për treguesit kryesorë makroekonomikë në vend, stabilitetin e çmimeve dhe financiar, si dhe për tendencat e inflacionit.
Bashkëbiseduesit, siç informoi Ministria e Ekonomisë dhe Punës, vlerësuan se ekonomia është stabile dhe shënon rritje të qëndrueshme, ndërsa kursi stabil i denarit ndaj euros përbën një faktor të rëndësishëm për ruajtjen e besimit në ekonomi, stabilitetin financiar dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë vendase.
Në lidhje me inflacionin dhe luhatjet e çmimeve, bashkëbiseduesit vlerësuan se tashmë disa muaj është vënë re një stabilizim i lëvizjeve të çmimeve, dhe pritet që këto tendenca të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme. Projekcioni i Bankës Popullore është që inflacioni vjetor të arrijë 2,5 për qind, ndërsa në afat mesatar të kthehet në nivelin historik prej 2 për qind. Risteski, Stojkoski dhe Slaveski ranë dakord se bashkëpunimi dhe koordinimi i mirë midis Bankës Popullore, Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut është i rëndësishëm për miratimin dhe zbatimin e politikave që nxisin zhvillimin ekonomik të vendit", thuhet në informacionin e Ministrisë së Ekonomisë.
Zëvendësministri Risteski uroi Bankën Popullore për jubileun e saj - 80 vjet nga themelimi i këtij institucioni. ls/
Foto: Ministria e Ekonomisë