• петок, 15 мај 2026

Takim i Siljanovska Davkovës me përfaqësuesit e SOS Fshatit të Fëmijëve - Maqedoni

Takim i Siljanovska Davkovës me përfaqësuesit e SOS Fshatit të Fëmijëve  - Maqedoni

Shkup, 12 maj 2026 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot u takua me përfaqësuesit e SOS Fshatit të Fëmijëve-Maqedoni me rastin e shënimit të 25 vjetorit të ekzistimit dhe punës së organizatës.

Siç informojnë nga Kabineti i presidentes së Maqedonisë, ajo dërgoi urime me rastin e jubileut të rëndësishëm për të punësuarit, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e organizatës, duke u dëshiruar sukses të mëtejshëm në realizimin e prioriteteve strategjike.

Bashkëbiseduesit e njoftuan presidenten  me rezultatet e deritanishme të punës, me programet dhe aktivitetet rrjedhëse, si dhe me sfidat në sigurimin e mbështetjes së fëmijëve pa kujdes prindëror, të rinjtë dhe familjet në rrezik social.

Sipas tyre, veçanërisht e rëndësishme është mbështetja psikosociale e të rinjve pas braktisjes së sistemit për kujdes, gjatë zhvillimit të shkathtësive jetësore dhe profesionale, vazhdimin e arsimit, punësimin dhe banimin.

Presidentja ka vlerësuar se në 25 vitet e fundit SOS Fshati i Fëmijëve në punën e saj paraqet një shembull për përkushtim, humanizëm dhe qasje profesionale në kujdesin për fëmijët në rrezik.

Për të, organizata ka kontribut të veçantë në promovimin e vlerave familjare përmes krijimit të modelit familjar të kujdesit alternativ.

Për vazhdimin e këtij misioni të rëndësishëm, ajo beson se nevojitet partneritet midis institucioneve dhe sektorit civil, me qëllim të krijimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për kujdes afatgjatë dhe mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve.

Në fund, presidentja ka theksuar se me bashkëpunim dhe mbështetje të përbashkët mund të sigurohet çdo fëmijë të rritet në familje i rrethuar me dashuri, respekt dhe ndjenjën e sigurisë. sa/

Foto: Presidentja e RMV-së

 

Остани поврзан