• сабота, 16 мај 2026

Sulejmani: "VLEN" nesër bëhet parti me përparësi barazinë e shqiptarëve dhe sundimin e ligjit

Sulejmani:

Shkup, 8 maj 2026 (MIA) – Koalicioni “VLEN” nesër, më 9 maj, zyrtarisht do të transformohet nga një bashkëpunim ndërmjet pesë subjekteve politike në një trup të vetëm politik. Ky proces i bashkimit do të konfirmohet nga mbi 805 delegatë, njoftoi sot në konferencë për media përfaqësuesi i “VLEN”-it, Driton Sulejmani.

Sulejmani theksoi se ky ndryshim përfaqëson akt të përgjegjësisë ndaj qytetarëve dhe dëshmi se interesi i përbashkët mund të vendoset mbi prioritetet e ngushta partiake. Platforma e tyre politike, tha, bazohet në orientimin e qendrës së djathtë me fokus në barazinë reale të shqiptarëve në institucione, shtetin juridik, luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe zbatimin thelbësor të Marrëveshjes së Ohrit. 

“Nesër, 9 maj, nuk është ditë e zakonshme për skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Nesër është momenti kur një ide që u vu në pikëpyetje, një rrugë që u kontestua dhe një bashkim që u inkurajua nga shumë njerëz, merr formën e saj të plotë dhe bëhet realitet politik. ‘VLEN’, nga një bashkëpunim midis pesë subjekteve politike, shndërrohet në një trup të vetëm politik”, tha Sulejmani.

Sipas tij, bashkimi i nesërm në Ditën e Evropës sjell edhe simbolikë të veçantë për shtet evropian, të drejtë dhe të barabartë, duke paralajmëruar politikë në shërbim të qytetarit, e cila, siç tha, do të matet përmes rezultateve konkrete në ekonomi, mbështetjes për sipërmarrësit dhe të rinjtë, si dhe përmes arsimit cilësor në gjuhën shqipe. 

“Ne besojmë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kërkojnë privilegje, por barazi. Ata nuk kërkojnë retorikë, por mundësi. Ata nuk kërkojnë mëshirë, por drejtësi dhe integritet. Prandaj, filozofia jonë është e qartë. Orientim i qendrës së djathtë në vlera, modern në qasje dhe vendimtar në mbrojtjen e interesit civil”, theksoi Sulejmani.

Në ngjarjen e nesërme, shtoi, janë të ftuar përfaqësues nga vendi dhe ndërkombëtarë, si dhe kori diplomatik në vend. 

“Nesër, mbi 805 delegatë do ta vulosin këtë proces. Dhe mesazhi është i qartë. ‘VLEN’ nuk është më vetëm një koalicion, ‘VLEN’ është një. Ne u dërguam ftesa të gjitha partive politike, përveç Levicës, dhe u dërguam ftesa edhe partive politike jashtë vendit, organizatave që veprojnë në vendin tonë dhe ambasadave që janë miq të përbashkët”, shtoi Sulejmani. fc/

Foto: Printskrin

 

Остани поврзан