Siljanovska-Davkova nga Treblinka: Nuk do të lejojmë të fshihet kujtimi i dhimbshëm për Holokaustin dhe për hebrenjtë tanë nga Maqedonia
- Në Kompleksin Memorial dhe Muzeor “Treblinka” në Poloni, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova mori pjesë në përkujtimin e Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë. Ajo nderoi viktimat dhe vendosi kurorë lulesh pranë monumentit përkujtimor kushtuar 7.144 hebrenjve të Maqedonisë, të deportuar nga pushtuesi fashist në kampin e vdekjes “Treblinka” në vitin 1943.
Shkup, 10 mars 2026 (MIA) – Në Kompleksin Memorial dhe Muzeor “Treblinka” në Poloni, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova mori pjesë në përkujtimin e Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë. Ajo nderoi viktimat dhe vendosi kurorë lulesh pranë monumentit përkujtimor kushtuar 7.144 hebrenjve të Maqedonisë, të deportuar nga pushtuesi fashist në kampin e vdekjes “Treblinka” në vitin 1943.
Siç njoftoi Kabineti i Presidentes, Siljanovska-Davkova në deklaratën e saj për mediat porositi se, duke qëndruar përballë humnerës së të keqes, nuk do të lejojmë revizionizëm historik dhe falsifikim të së vërtetës për Holokaustin e hebrenjve maqedonas.
Këtu qëndrojmë përpara një dëshmie, apo një humnerë të së keqes. Të gjithë besojmë dhe premtojmë se nuk do të lejojmë revizionizëm historik. E keqja nuk mund të zbukurohet, sepse dëshmi për të keqen ka edhe te ne, por dëshmi për të keqen ka edhe këtu. Shtëpitë e tyre janë te ne, shtëpitë e tyre ende qëndrojnë. Jo rastësisht ne kemi një qendër memoriale të Holokaustit. Jo rastësisht të gjithë e dinë se ku ka qenë lagjja hebraike. Jo rastësisht të gjithë i kujtojnë ata njerëz të mrekullueshëm. Ajo mendje e mrekullueshme u zhduk nga një mendje e tmerrshme, çnjerëzore dhe e ligë. Prandaj ne shpesh themi se e vërteta nuk guxon të falsifikohet, e vërteta nuk guxon të zbukurohet, sepse është e pamundur që nga e keqja të bësh të mirën. Këtë askush nuk e ka arritur. Ne, në mes të Shkupit, kemi tre urna me hi nga Treblinka, tha presidentja.
Domethënë, shtoi ajo, ne kemi një pjesë të memories që gjendet këtu dhe ajo vazhdimisht na kujton njerëzit e mrekullueshëm, jetët e të cilëve përfunduan për shkak të disa mendjeve të sëmura.

Prandaj, unë nga këtu besoj dhe premtoj se çdo vit, në këtë kohë, ne duhet të gjendemi me hebrenjtë tanë maqedonas, këtu, në këtë vend të tmerrshëm. Dhe në shtëpi ta tregojmë atë histori shumë, shumë të trishtueshme. Megjithatë, një histori që tregon se edhe këtu ne jemi të vetëdijshëm se shpirti i tyre është atje me ne. Por shpirti i tyre është edhe nëpër Poloni dhe kudo. Shpirti i tyre na përkujton, shpirti i tyre na paralajmëron dhe prandaj duhet ta kultivojmë atë shpirt, theksoi Siljanovska-Davkova.
Duke theksuar se është detyrim shtetëror dhe njerëzor të jemi këtu në prag të ditës së nesërme të kujtimit të Holokaustit të hebrenjve maqedonas, ajo tha se për ne tragjedia është më e madhe dhe më e dhimbshme, sepse antisemitizmi kurrë nuk ka qenë tipar maqedonas.
Ky vend paraqet tmerr mortor, sidomos në prag të ditës që do të mbetet përherë e gdhendur si një nga ditët më të rënda për të gjithë ne. Prandaj thashë se sot ndihem si një hebreje maqedonase, sepse ajo është shtëpia e tyre. Paramendoni, të arratiseni me jetën në një valixhe, me një qese, në udhëtimin e fundit dhe të mos ktheheni kurrë. Ndoshta dikush do të zemërohet, por mendoj se duhet ta kujtojmë të keqen që të mos ndodhë më. Medoemos duhet të dijmë se fajtorë nuk janë vetëm kryerësit, por edhe ata që lejuan të ndodhte e keqja. Prandaj nuk guxojmë të lejojmë të ndodhë diçka e tillë. Për këtë arsye dua të përsëris se më 11 mars 1943, pushteti i atëhershëm fashist okupator bullgar, pra pushteti, e jo populli bullgar, ai pushtet fashist i atëhershëm i mblodhi me forcë hebrenjtë maqedonas nga Maqedonia e okupuar, gjë që e kemi të përbashkët me Poloninë, e cila po ashtu ishte e okupuar atëherë, i ngarkoi në vagonë bagëtish dhe i deportoi këtu, në qendrën naziste të shfarosjes Treblinka, tha Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, fakti që hebrenjtë maqedonas që i shpëtuan deportimit u përfshinë menjëherë në luftën nacionalçlirimtare dhe antifashiste të popullit maqedonas, është dëshmi e bashkëjetesës sonë.
Për këtë, sipas saj, dëshmojnë hebrenjtë e paktë që i shpëtuan deportimit dhe pasardhësit e tyre, si dhe të afërmit e pranishëm të të mbijetuarve, të cilët me krenari e përfaqësojnë të vogël në numër, por për ne jashtëzakonisht të rëndësishme bashkësi hebraike maqedonase.
E përsëris, nga Maqedonia e okupuar në Poloninë e okupuar. Është e tmerrshme që njeriu të thotë se qëllimi i Treblinkës ka qenë që sa më shpejt të ishte e mundur, thuajse në një shirit fabrike, në mënyrë industriale, të shfaroste sa më shumë njerëz. Dëgjuam edhe sot, 2.000 persona janë ekzekutuar menjëherë. E tmerrshme. Pyes veten, a është e mundur që një mendje normale, për 13 muaj nga korriku 1942 deri në gusht 1943, paramendoni, jo vetëm të shkaktojnë, por të prodhojnë vdekje për rreth 900.000 njerëz, hebrenj. Mes tyre kanë qenë edhe 7.144 hebrenj maqedonas. E tmerrshmja për hebrenjtë tanë është se bëhet fjalë për 98 për qind të të gjithë popullsisë hebraike maqedonase. Dikush i dha fund bashkësisë hebraike maqedonase, ndërsa në kuadër të viktimave maqedonase në Luftën e Dytë Botërore bëhet fjalë për rreth një të tretën. A ka sakrificë më të madhe për lirinë maqedonase? A ka sakrificë më të madhe për lirinë hebraike?, tha presidentja.

Në komemoracion, drejtori i Fondit të Holokaustit të Hebrenjve nga Maqedonia, Goran Sadikario, porositi se ngjarja e sotme është një mesazh i fuqishëm se ne kujtojmë dhe duhet të kujtojmë të vërtetën dhe atë që Maqedonia humbi.
Sipas deputetes Rashela Mizrahi, viktimat nuk janë vetëm numra, por familje, identitet dhe histori me të cilat identifikohen të gjithë hebrenjtë maqedonas.
Majkëll Berenbaum, krijuesi i ekspozitës së përhershme në Qendrën Memoriale të Holokaustit të Hebrenjve nga Maqedonia, theksoi se kur vijmë në këtë vend, nuk duhet të kthejmë vështrimin vetëm nga e kaluara, por edhe të kujtojmë përgjegjësinë që kemi, që një e keqe e tillë të mos përsëritet kurrë.
Presidentja vendosi lule edhe para monumentit qendror në Treblinka, vizitoi ekspozitën muzeore dhe realizoi takim me drejtorin e Kompleksit Memorial dhe Muzeor, Edvard Kupovka. Ajo e përshëndeti vendosjen e murit të ri, në të cilin do të shkruhen të gjithë emrat e njohur të hebrenjve të vrarë në Treblinka, përfshi këtu edhe emrat e hebrenjve maqedonas.
Në Varshavë, presidentja vendosi kurorë lulesh para përmendores kushtuar viktimave të Getos së Varshavës.
Siljanovska-Davkova është Presidentja e parë maqedonase që e ka vizituar Kompleksin Memorial “Treblinka”.
Foto: Kabineti i presidentes