Siljanovska - Davkova: Përdorimi i mbiemrit maqedonas nuk mund të ndalohet
- - Marrëveshja e Prespës e rregullon qartë përdorimin e termave për institucionet shtetërore, por përdorimi i mbiemrit maqedonas në lidhje me identitetin dhe popullin nuk mund të ndalohet, theksoi sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në lidhje me notën verbale që iu dorëzua ambasadorit bullgar në vend për shkak të deklaratës së shefes së re të diplomacisë bullgare, Vesislava Petrova Çamova, e cila përdori termin "maqedonas i Veriut".
Shkup, 14 maj 2026 (MIA) - Marrëveshja e Prespës e rregullon qartë përdorimin e termave për institucionet shtetërore, por përdorimi i mbiemrit maqedonas në lidhje me identitetin dhe popullin nuk mund të ndalohet, theksoi sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në lidhje me notën verbale që iu dorëzua ambasadorit bullgar në vend për shkak të deklaratës së shefes së re të diplomacisë bullgare, Vesislava Petrova Çamova, e cila përdori termin "maqedonas i Veriut".
Ajo theksoi se qëndrimi i saj ndaj marrëveshjes së Prespës nuk ka ndryshuar dhe theksoi se nënshkruesit e dokumentit duhet të insistojnë të parët në respektimin e saj dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Nuk ndalohet, e as mund të ndalohet përdorimi i mbiemrit maqedonas. Në fakt ajo është edhe pjesë e vetë marrëveshjes. Ja tani, ata që e mbështetën dhe e nënshkruan marrëveshjen, të parët duhet të flasin për respektim të saj”, deklaroi Siljanovska – Davkova.
Duke folur për klimën politike në rajon dhe qeverinë e re në Bullgari, presidentja shprehu pritshmëri për konstruktivitet dhe udhëheqje të politikave të bazuara në vullnet të mirë, duke theksuar se mirëkuptimi rajonal është kyç për rrugën e integrimeve evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Në lidhje me çështjen për angazhimin shoqëror të ish shefave të shtetit, Siljanovska – Davkova theksoi se aktiviteti i tyre nuk duhet të ndalohet pas përfundimit të mandatit. Ajo zbuloi se tashmë ka menduar për nismën për konsultime të tyre të përbashkëta.
“Mendoj se do të ishte mirë të kishim një tryezë të rrumbullakët me ish-presidentë ku të mund të konsultoheshim mbi situatat me të cilat përballemi dhe mbi zgjidhjet e problemeve të caktuara. Përndryshe, keni të drejtë që aktivitetet nuk duhet të ndalen me largimin nga detyra, por duhet të vazhdojnë”, tha presidentja.
E pyetur për deklaratat e fundit në lidhje me komunikimin ndërmjet kryeministrit dhe prokurorit shtetëror publik, Siljanovska – Davkova refuzoi t’i komentojë, duke theksuar se nuk ka mbikëqyrje në natyrën e bisedave të tyre telefonike dhe se përgjigjet duhet të kërkohen drejtpërdrejt nga palët e përfshira. fc/
Foto: MIA