• вторник, 14 април 2026

Siljanovska - Davkova nga Zagrebi: Në Maqedoni qytetarët kanë qëndrim të qartë, rreth 80 për qind nuk dëshirojnë që Kushtetuta të ndryshohet, por pothuaj 70 për qind janë për anëtarësim në BE

Siljanovska - Davkova nga Zagrebi: Në Maqedoni qytetarët kanë qëndrim të qartë, rreth 80 për qind nuk dëshirojnë që Kushtetuta të ndryshohet, por pothuaj 70 për qind janë për anëtarësim në BE

Zagreb, 25 mars 2026 (MIA) - Në Maqedoni qytetarët kanë qëndrim të qartë, rreth 80 për qind nuk dëshirojnë të ndryshohet Kushtetuta, por pothuaj 70 për qind janë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo po krijon një dilemë të vështirë për politikanët, si të harmonizohet vullneti i popullit me obligimet ndërkombëtare, tha presidentja Gordana Siljanovska - Davkova në ligjerimin me temë "Për paradokset e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut" në Fakultetin juridik në Zagreb.

Potencoi se historia tregon se vendi di të bëjë hapa të vështira, por të rëndësishme dhe se Maqedonia është shteti i vetëm që e ka ndryshuar emrin e saj.

Presidentja, siç njoftoi raportuesja e MIA-s, tha se "në marrëdhëniet diplomatike shpesh potencohet se marrëveshjet duhet të respektohen, por kjo nuk do të thotë se çdo marrëveshje mund të imponojë ndryshim të Kushtetutës".

Shtoi se sipas pushtetit, marrëveshjet duhet të respektohen në frymën e bashkëpunimit, pa u shkelur rregullat e vendit.

Siljanovska-Davkova tha se në marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë nga viti 2017, nuk ka asnjë fjalë për ndryshimet kushtetuese, duke potencuar se çështjet e tilla nuk mund të vendosen përmes protokolleve të dakorduara mes ministrave, pa ratifikim në parlament.

"Nuk mund dy ministra të punëve të jashtme në rol të konsullëve të ndryshojnë marrëveshje. Kjo është në kundërshtim me parimet juridike", tha ajo, duke shtuar se nuk e ka të qartë si dispozita të tilla janë bërë pjesë e kornizës negocuese me BE-në.

Sipas presidentes, ekziston rrezik që përmes protokolleve të hapen çështje të reja, të cilat nuk janë të lidhura me Kriteret e Kopenhagës, por paraqesin involvim në punët e brendshme të shtetit.

Për këtë shkak, siç tha Siljanovska-Davkova, ekspertët, duke përfshirë edhe të Komisionit të Venecies, thonë se vendi duhet të gjejë një ekuilibër mes respektimit të institucioneve të vendit dhe pritjeve ndërkombëtare. bsh/

Foto: Kabineti i presidentes Siljanovska - Davkova

Остани поврзан