• петок, 05 декември 2025

Sikorski: Këshilli NATO-Rusi nuk ekziston më, siguria evropiane po ndërtohet kundër Moskës

Sikorski: Këshilli NATO-Rusi nuk ekziston më, siguria evropiane po ndërtohet kundër Moskës

Bruksel, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Ministri polak i Punëve të Jashtme, Radosllav Sikorski sot deklaroi se Këshilli NATO-Rusi, një forum konsultativ i themeluar në vitin 2002, nuk ekziston më.

Ai pas bisedimeve midis ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Bruksel, u tha gazetarëve se ky organ u krijua në një kohë kur dukej se siguria evropiane mund të ndërtohej së bashku me Rusinë, por se ato kohë kianë kaluar për shkak të vendimeve ruse për "pushtime", transmetoi "Guardian".

"Sot po krijojmë siguri evropiane kundër Rusisë dhe kjo më në fund ka fituar shprehjen e saj institucionale", tha Sikorski.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Presidentit rus Vladimir Putin drejtuar Evropës mbrëmë, Sikorski vuri në dukje se "Rusia është në një pozicion dukshëm më të dobët nga sa mendon".

"Ndoshta Putini po gënjen (për të na bërë të mendojmë se nuk është ashtu), por në një farë mënyre, fakti që ai po na kërcënon është i dobishëm, sepse përqendron vëmendjen këtu në çështjen e mbështetjes së Ukrainës", theksoi ai.

Putini dje deklaroi se Rusia nuk dëshiron luftë me Evropën, por nëse BE-ja e dëshiron një të tillë, atëherë Rusia është gati të luftojë.

Sikorski komentoi gjithashtu propozimin e BE-së për huai për reparacion për Ukrainën, duke deklaruar se është një mekanizëm që "mund të vendosë rezultatin e kësaj lufte".

“Nëse Putini arrin në përfundimin se Ukraina i ka këto para dhe mund të financojë si shtetin ashtu edhe mbrojtjen e saj për dy ose tre vjet, ai do të duhet të rishqyrtojë nëse mund ta vazhdojë luftën e tij për dy ose tre vjet të tjera”, tha ministri polak.

Sikorski theksoi se mbështet thirrjet që kryeministri belg të heqë dorë nga kundërshtimi i tij, duke theksuar se zhbllokimi i aseteve të ngrira ruse për Ukrainën mund të jenë faktori më i madh që përshpejton paqen, por shtoi se i kupton shqetësimet e Belgjikës në lidhje me rreziqet dhe shpreson që propozimet e Komisionit Evropian do të ofrojnë siguri të mjaftueshme.

Komisioni Evropian më herët sot paraqiti dy propozime paralele për të marrë hua dhe përdorur asetet e ngrira të Bankës Qendrore Ruse për të ndihmuar në mbulimin e nevojave financiare të Ukrainës për periudhën 2026-2027. Organi ekzekutiv i BE-së kumtoi se pakoja e tij prej pesë propozimesh ligjore përfshin një "kredi për reparacion" bazuar në asetet ruse, shumica e të cilave ndodhen në Belgjikë, si dhe një ndalesë për kthimin e këtyre aseteve të ngrira në Rusi.

Propozimet përfshijnë gjithashtu mekanizma mbrojtës për huanë për reparacion, të hartuara për të mbrojtur anëtarët e BE-së dhe institucionet financiare nga masat e mundshme hakmarrëse, si dhe një ndryshim të propozuar që do të lejonte që buxheti i BE-së të përdoret për të mbështetur huanë  për Ukrainën.

Belgjika kritikoi propozimin e BE-së për të përdorur asetet e ngrira ruse. ls/

Foto: EPA

 

 

Остани поврзан