• четврток, 30 јануари 2025

Sholc për Si-En-En: Atë që po bën Mask është "me të vërtetë e neveritshme"

Sholc për Si-En-En: Atë që po bën Mask është

Uashington, 29 janar 2025 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholc në një deklaratë për Si-En-En mbrëmë e kritikoi miliarderin amerikan Ilon Mask, themelues i kompanisë Tesla, duke thënë se ajo që po bën është me të "vërtetë e neveritshme".

"Jam i zemëruar që Ilon Mask përzihet në interes të ekstremit të djathtë dhe që gjithashtu nuk reagon në mënyrë adekuate në vrasjet e aq shumë hebrenjve dhe njerëzve tjerë në Evropë të kryera nga gjermanët në të kaluarën", tha Sholc dhe shtoi se Gjermania do ta mbajë "përgjegjësinë historike" për këtë edhe në të ardhmen.

Mask është njëri nga njerëzit më të pasur në botë dhe aleat i afërt i presidentit konservator amerikan Donald Tramp. Kohët e fundit ai është lidhur gjithnjë e më shumë me të djathtën ekstreme dhe tashmë disa javë në mënyrë aktive e mbështet partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), ndërsa në prag të zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt.

"Nëse e lexoni shtypin në Gjermani do të shihni se ka shumë miliarderë të cilët gjithashtu (sikur edhe Mask) përzihen në politikë. Kjo nuk është diçka e re. Risi është ajo që përzihet në interes të politikanëve të djathtë në mbarë Evropën. Dhe kjo është me të vërtetë e neveritshme. Dhe kjo nuk është mirë për zhvillimin demokratik në të gjithë Bashkimin Evropian", deklaroi Sholc.

Msk në një video paraqitje në tubimin e AfD-së gjatë fundjavës tha se gjermanët "duhet të braktisin ndjenjën e fajit historik" për shkak të Holokaustit, dhe këtë e tha në prag të përkujtimit në nder të miliona njerëzve të vrarë në kampin e përqëndrimit Aushvic.

Në fillim të muajit, Mask kishte biseduar me liderin e AfD-së, Alis Vajdel dhe në rrjetin e tij social "X", shprehu mbështetje për partinë, ndërsa për Sholcin shënoi se është "një budalla i paaftë". sa/

Остани поврзан