Njëmbëdhjetë persona të lënduar në zjarrin në konviktin studentor në Lubjanë
- Mëngjesin e sotëm ka shpërthyer zjarr në një konvikt studentor në "Poljanska cesta" në Lubjanë ku janë lënduar 11 persona, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike, njofton N1 Slloveni.
Lubjanë, 30 janar 2025 (MIA) - Mëngjesin e sotëm ka shpërthyer zjarr në një konvikt studentor në "Poljanska cesta" në Lubjanë ku janë lënduar 11 persona, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike, njofton N1 Slloveni.
Zjarri është raportuar pak pas orës katër, ndërsa zjarrfikësit kanë reaguar shpejtë, duke evakuuar 363 persona dhe duke shpëtuar 45 persona me ndihmën e shkallëve dhe maskave mbrojtëse.
Në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë 77 zjarrfikës me 23 automjete, ndërsa zjarri është vënë nën kontroll për pak më shumë se një orë.
Sipas informacioneve të Qendrës Klinike Universitare (QKU) në Lubjanë, mes të lënduarve ka të rinj të moshës 15 deri në 19 vjeç.
Tre persona kanë marrë lëndime të rënda – një nxënës ka djegie të rënda dhe është në gjendje kritike, ndërsa dy kanë pësuar me thyerje të shtyllës kurrizore dhe kyçeve të këmbës pasi u hodhën nga dritarja për t'i shpëtuar zjarrit.
Edhe katër të tjerë janë shtruar në spital për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit, ndërsa pjesa tjetër kanë pësuar lëndime të lehta.
Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Sipas informacioneve fillestare, zjarri ka rënë në një nga dhomat e katit të parë dhe është përhapur me shpejtësi.
Studentët pretendojnë se alarmi i zjarrit nuk është aktivizuar, por policia ende nuk e ka konfirmuar këtë.
Foto: N1 Slloveni