• сабота, 16 мај 2026

Shkupi nikoqir i Kongresit të 18-të Evropian të Kirurgëve Abdominalë

Shkupi nikoqir i Kongresit të 18-të Evropian të Kirurgëve Abdominalë

Shkup, 17 prill 2026 (MIA) – Në Shkup po mbahet Kongresi i 18-të Evropian i Kirurgëve Abdominalë. Ngjarja është organizuar nga Asociacioni i Kirurgëve Abdominalë të Maqedonisë (MAAC) – Shkup, në bashkëpunim me Asociacionin Evropian të Kirurgëve Digjestivë (EDS) dhe siç u theksua, përfaqëson një nga tubimet më të rëndësishme profesionale në sferën e kirurgjisë digjestive në rajon.

Pritet që kongresi të mundësojë platformë të veçantë për shkëmbim ndërkombëtar të njohurive, përvoja shkencore dhe praktika më të reja klinike, me pjesëmarrje të ekspertëve me renome nga Evropa dhe më gjerë.

“Me zbatimin e një programi shkencor dhe praktik cilësor, ky aktivitet prestigjioz do të kontribuojë në avancimin e praktikës kirurgjikale, si dhe në forcimin e bashkëpunimit profesional midis profesionistëve të kujdesit shëndetësor në vend dhe rajon. Në aktivitet do të marrin pjesë mbi 40 ligjërues nga e gjithë bota, Evropa dhe rajoni dhe mbi 150 pjesëmarrës, duke e bërë atë një nga ngjarjet më të rëndësishme që mbahen në vendin tonë”, deklaroi prof. dr. Svetozar Antoviq, kryetar i Kongresit dhe dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, doktore e mjekësisë, specialiste e patologjisë dhe doktor i shkencave, i tha të pranishmëve se kirurgjia tretëse ka pësuar transformim të madh.

"Ajo që dikur kufizohej nga teknologjia, tani është rritur në disiplinë shumë të sofistikuar që integron inovacionet më të fundit me teknika të rafinuara kirurgjikale. Përparimet në incizimet mjekësore, biologjinë molekulare dhe inteligjencën artificiale po e ndryshojnë plotësisht mënyrën se si diagnostikohen, planifikohen dhe kryhen operacionet", tha Janevska.

Edhe krahas përparimit teknologjik, siç theksoi ajo, thelbi i kirurgjisë mbetet i njëjtë – besimi i lënë në duart tuaja dhe përgjegjësia për jetën e njerëzve. 

“Duhet theksuar gjithashtu se inovacioni shkon krah për krah me etikën, sigurinë dhe përfshirjen. Ndërsa shtyni kufijtë, duhet të siguroheni që progresi t'u sjellë dobi të gjithë pacientëve, pavarësisht nga gjeografia dhe rrethanat. Forca juaj qëndron në diversitetin e ekspertizës dhe përvojës”, shtoi Janevska.

Njëkohësisht, siç tha, nuk guxojmë të harrojmë sfidat që vijojnë. 

“Sistemet e kujdesit shëndetësor në të gjithë Evropën po përballen me kërkesa të larta dhe burime të kufizuara. Përgjegjësia jonë qëndron në mentorimin, edukimin dhe frymëzimin e kirurgëve të rinj, jo vetëm për të fituar aftësi teknike, por edhe për të menduar në mënyrë kritike, për të marrë vendime etike dhe për të ofruar kujdes gjithëpërfshirës. E ardhmja e kirurgjisë digjestive varet nga aftësia jonë për të transferuar njohuri dhe vlera”, theksoi Janevska.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu para të pranishmëve theksoi se kujdesi shëndetësor është i bazuar në besim. 

“Besim ndërmjet pacientit dhe mjekut. Besim në sistem. Besim në vendime. Ndërsa besimi krijohet kur ndahen njohuritë, kur profesionistët janë inkurajuar, ndërsa sistemet janë transparente dhe korrekte. Ky është vizioni të cilin e synojmë”, theksoi ministri. fc/

Foto: MIA 

Остани поврзан