• вторник, 07 јануари 2025

Sfidat e reja kërkojnë strategji për veprim të koordinuar dhe të mençur

Sfidat e reja kërkojnë strategji për veprim të koordinuar dhe të mençur

Shkup, 6 janar 2025

Tani kur ndodhemi në fillim të një viti me plot sfida dhe të panjohura, kur globi është i shqetësuar nga konfliktet lokale që shumë lehtë mund të bëhen rajonale dhe botërore, kur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington do të kemi një President të ri dhe kur disa procese ballkanike ende nuk kanë marrë epilogun e duhur, sidomos çështjet e pambyllura në mes të Kosovës dhe Serbisë , por edhe në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, njerëzit me të drejt presin nga liderët dhe elitat shtetërore që të dalin mbi stereotipet e ngushta politike e ideologjike në favor të një mundësie e cila do të sillte më tepër mirëkuptim e dialog në mes të popujve e shteteve.

Në këto momente të ndjeshme gjeopolitike, kur zhvillimet në botë po marrin përmasa të paparashikuara, është detyrë e secilit prej nesh, sidomos ata që mbajnë përgjegjësi shtetërore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, si dhe partive politike në pushtet dhe opozitë, që të dalin mbi ndasitë dhe interesat e ngushta politike për t’u bashkuar rreth një kauze madhore kombëtare. Ata e kanë për detyrë që të reflektojë mbi përgjegjësitë dhe rolin që mund të luajnë për të ardhmen tonë të përbashkët. Nëse ardhmëria shikohet si një begati e përbashkët e cila nuk guxon të cënohet nga mikrobet e së kaluarës, atëherë ka shansë që në pasqyrat e së ardhmes të shohim perspektivën dhe zhvillimin e çdo kombi dhe çdo shteti veç e veç, por edhe në aleancë me njëri tjetrin.

Ne jemi dëshmitarë se bota po përballet me ndryshime të mëdha – nga riorientimi i aleancave ndërkombëtare, krizat ekonomike dhe energjetike, deri te tensionet rajonale që mund të prekin drejtpërdrejt kombet dhe shtetet tona. Në këtë kontekst, ne nuk mund të mbetemi të përçarë apo të paaftë për të artikuluar kërkesat tona në mënyrë të qartë dhe të unifikuar, përfshirë edhe ato interesa specifike që lidhen me forcimin e bashkëpunimit institucional në mes të vet shqiptarëve në rajon por edhe të shqiptarëve me të tjerët, por edhe zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal, që siguron prosperitet për të gjithë.

Nëse i hedhim një sy retropsketivës historike të shqiptarëve, do të vërejmë se kombi ynë ka përballuar sfida të mëdha ndër shekuj, por gjithmonë ka triumfuar kur ka qëndruar i bashkuar. Sot është momenti për të treguar se jemi të denjë për këtë trashëgimi dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Pra, le të jetë ky një fillim i ri për bashkimin rreth një kauze të përbashkët që na bën më të fortë, më të bashkuar dhe më të respektuar në botë.

Kur flasim për potencialet zhvillimore të një kombi, nuk duhet harruar edhe një pjesë të madhe të njerëzve tanë që aktualisht jetojnë e veprojnë jashtë vendlindjes. Dihet që mërgata shqiptare, e shpërndarë në çdo cep të globit, ka qenë historikisht një ndër shtyllat kryesore të mbijetesës dhe avancimit kombëtare. Jeronim De Rada, Naim e Sami Frashëri, Fan Noli, Faik Konica, Filip Shiroka, Vaso Pasha, ndonëse jetonin dhe veprnin larg vendlinjes, ata ishin dishepujt e kësaj mbijetese dhe këtij avancimi kombëtar.

Prandaj, një dimension i qenësishëm i mërgatës tonë është edhe diplomacia, për arsye se përçuesit më të denjë të interesave tona kombëtare në qendrat ndërkombëtare të vendosjes në të kaluarën kanë qenë kolonitë shqiptare në Amerikë, Egjypt, Turqi, Rumani, Bullgari, Itali e gjetiu. Me kalimin e kohës veprimtaria diplomatike e mërgatiës tonë erdhi duke u sofistikuar dhe për rrjedhojë në vitet 90—të të shekullit të kaluar patëm një aktivitet të dendur lobues, sidomos të shqiptarëve të Amerikës pranë institucioneve amerikane - Kongres, Shtëpi të Bardhë, Pentagon, në Departamentin e Shtetit etj. Frytet e këtij aktiviteti lobues nuk mbetën edhe pa rezultate, sidomos në kohën e luftës së vitit 1999 dhe periudhën pasuese që rezultoi me pavarësinë e shtetit të Kosovës. Por, do të ishte shkurtpamësi të mendohet se me pavarësimin e Kosovës, duhet të ndërpritet aktiviteti lobues në Amerikë dhe në qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes. Përkundrazi, pikërisht tani ka nevojë për pomovimin e vlerave dhe imazhit tonë në botë, duke duke forcuar perceptimin pozitiv të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Ka nevojë, gjithashtu edhe për një mbështetja ekonomike dhe teknologjike, ku investimet e mërgatës mund të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe ngritjen e kapaciteteve teknologjike të viseve tona. Por, që të arrihen të gjitha këto objektiva, nevoitet të krijohet një platformë, e cila do të merrej me organizimin gjithëpërfshirës që lidh shqiptarët kudo në botë dhe koordinon aktivitetet e tyre për çështje të përbashkëta kombëtare dhe do të angazhohej në edukimin e të rinjëve të rinjve në diasporë, të cilët do të integroheshin në vizionin kombëtar përmes programeve edukative, kulturore dhe politike. Por, kjo nuk mund të bëhet pa një lidhje të fuqishme me institucionet shtetërore në Kosovë, Maqedoni të veriut dhe në Shqipëri, në mënyrë që bashkëpunimi i afërt në mes të vendlijes dhe diasporës do të krijonte një sinergji të domosdoshme për arritjen e synimeve kombëtare dhe eurointegruese.

Prandaj, është domosdoshmëri e kohës që të mos mbetemi peng i ndasive të brendshme apo moskoordinimit, por të veprojmë të bashkuar për të siguruar një të ardhme më të ndritur, duke i bashkërenduar veprimet edhe me aleatët tanë strategjikë, sidomos me ata amerikanë. Kjo tingëllon edhe më aktuale tani kur më 20 janar pritet inaugurimi i Presidnetit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë në Ëashington, një ngjarje kjo që duhet shikuar si një shansë e re për të ecur më të sigurt në shtegun e proceseve euro-integruese.

Nga Skender ASANI

 

Остани поврзан