• петок, 15 мај 2026

Seminari i përbashkët i Komitetit politik dhe Grupit të posaçëm për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Romë

Seminari i përbashkët i Komitetit politik dhe Grupit të posaçëm për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Romë

Shkup, 12 maj 2026 (MIA) - Deputetja Sllavjanka Petrovska, anëtare e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, po merr pjesë në seminarin e përbashkët të Komitetit politik dhe Grupit të posaçëm për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet nga 11 deri më 13 maj 2026 në Romë, informoi pres shërbimi i Kuvendit.

Seminari, thuhet në kumtesë, i organizuar në bashkëpunim me Parlamentin Italian, është me rëndësi të veçantë këtë vit pasi shënon 30 vjet të aktiviteteve të Grupit të Posaçëm për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme. Ngjarja bashkon parlamentarë nga vendet anëtare të NATO-s, përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, përfaqësues diplomatikë dhe ekspertë të sigurisë, të cilët diskutojnë sfidat aktuale të sigurisë dhe gjeopolitikës në lagjen jugore të Aleancës, si dhe ndikimin e tyre në sigurinë euroatlantike.

Fokusi i diskutimeve është situata gjeopolitike në ndryshim në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Afrikën Subsahariane, ndikimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në rajonin më të gjerë, roli në rritje i shteteve të Gjirit, si dhe çështjet që lidhen me sigurinë detare, rrugët energjetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Në ceremoninë e hapjes së seminarit folën ministri italian i Mbrojtjes Guido Krozeto, kryetari i Grupit Special për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme, Xhanxhakomo Kalovini dhe kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Markos Perestrelo de Vaskoncelos.

Sesioni kushtuar partneriteteve të NATO-s në Fqinjësinë Jugore u drejtua nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Fqinjësinë Jugore Havier Kolomina dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Rajonin e Gjirit, Luixhi Di Majo.

Dita e dytë e seminarit u hap me fjalimet e Lorenzo Fontana, kryetar i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, dhe Dubravka Shuica, komisionere evropiane për Mesdheun.

Diskutimet trajtuan gjithashtu lidhjen midis krahëve lindorë dhe jugorë të NATO-s, ndikimin e regjimeve autoritare në siguri, marrëdhëniet midis zonës euroatlantike dhe vendeve të Gjirit, si dhe situatën në Afrikë dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit rajonal të sigurisë.

Programi përfshin gjithashtu vizitën në Komandën e Marinës Italiane në Romë, ku do të mbahet sesioni kushtuar sigurisë së korridoreve kryesore detare dhe infrastrukturës kritike nënujore në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, si dhe vizita në bazën detare në Çivitavekia. bsh/

Foto: Kuvendi RMV-së

Остани поврзан