• петок, 13 март 2026

Seancë përkujtimore për zjarrin në Koçan: Tragjeditë nuk duhet të jenë fushë përçarjesh, por momente solidariteti, humanizmi dhe uniteti

Seancë përkujtimore për zjarrin në Koçan: Tragjeditë nuk duhet të jenë fushë përçarjesh, por momente solidariteti, humanizmi dhe uniteti

Shkup, 12 mars 2026 (MIA) - Tragjeditë nuk duhet të jenë kurrë fushë përçarjesh. Ato duhet të jenë momente solidariteti, humanizmi dhe uniteti, theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në fjalimin e tij në seancën përkujtimore për përvjetorin e zjarrit në Koçan ku jetën e humbën 63 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan.

Seanca përkujtimore filloi me një minutë heshtje në shenjë respekti për kujtimin e 63 personave që vdiqën në Koçan. Në seancë, përveç deputetëve, morën pjesë presidentja e shtetit Gordana Siljanoska Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski, familjet e atyre që vdiqën tragjikisht në zjarrin në diskotekën "Puls"...

"Sot, pas një viti, jemi mbledhur në këtë sallë për të kujtuar, për të reflektuar dhe për t’i nderuar me respekt emrat që u shuan. Jemi mbledhur si rrallëherë, jo si pozitë e opozitë, jo si përfaqësues të partive apo institucioneve, por si një shoqëri që u lëndua rëndë. Jemi këtu si njerëz që e bashkëndjejnë dhimbjen e këtyre familjarëve, për t’u dhënë mesazh se në këtë dhimbje nuk janë vetëm", tha Gashi.

Disa netë përfundojnë si rutinë, disa net përfundojnë duke lënë kujtime, por janë disa net që nuk përfundojnë kurrë. Ka agime që zgjojnë shpresa e lindin forca të reja, por ka edhe mëngjese të zymta që e shuajnë shpresën dhe zgjojnë vetëm dhimbje. 

Ajo natë, bashkë me jetën e 63 të rinjve, mori me vete edhe ëndrra dhe plane që sapo kishin filluar të ndërtoheshin, histori që sapo kishin filluar të shkruhen dhe të nesërmen e shumë familjeve të vendit tonë. 

"Një mëngjes i tillë ishte 16 marsi i vitit të kaluar, që agoi pas natës tragjike në Koçan. Një natë që filloi me argëtim, me të rinj që festonin, me miqësi dhe buzëqeshje, përfundoi me vaj, plagë dhe dhimbje, që depërtoi thellë në zemrën e një shteti të tërë. Atë natë, Koçani dhe Maqedonia nuk i humbi vetëm bijtë e bijat e veta, por e humbi edhe një pjesë të së ardhmes së saj; një copë e pakthyeshme e shpirtit tonë atë natë u dogj në Koçani", tha Gashi.

Edhe pas një viti, fjalët mbeten të vështira për t’u zgjedhur, por edhe më të vështira për t’u thënë. Janë disa momente kur edhe po t’i përzgjedhësh fjalët, ato gjithnjë të duken të mangëta për ta shprehur atë që njeriu e ndjen dhe e përjeton. I tillë është edhe ky detyrim për mua.

"E megjithëse fjala publike është detyrë, ajo asnjëherë nuk ka qenë kaq e rëndë. Aq më tepër kur je i vetëdijshëm se, në një rast si ky, asnjë fjali nuk mjafton për ta mbushur boshllëkun dhe për ta ngushëlluar dhimbjen të cilën kjo tragjedi e ka lënë tek familjet dhe ndërgjegjja e kësaj shoqërie. Ka fjalë që qajnë dhe lot që flasin” thoshte poeti. Lotët e nënave, prindërve, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë për Koçanin kanë folur më zëshëm seç mund të ketë deklaruar çdo politikan, e madje, edhe çdo institucioni. Prandaj kjo seancë komemorative nuk ka të bëjë me formalitetin institucional, por është një përkulje e përbashkët e gjithë shtetit para jetëve që u shuan dhe para familjeve që vazhdojnë ta mbajnë peshën e kësaj tragjedie", ka thënë Gashi. 

Sepse, siç tha, në ato ditë e pamë që askush nuk përfiton nga përçarja dhe në momentet më të errëta të vendit e pamë njëkohësisht edhe anën më të ndritur të shoqërisë sonë.

"Pamë të shkëlqejë forca e humanizmit, ngushëllimi që jepte solidariteti dhe mbështetja e sinqertë. Në Kuvend, gjatë ditëve të zisë u hap libri i ngushëllimeve. Qindra qytetarë erdhën këtu në heshtje për të shkruar disa fjalë për ata që nuk janë më. Nëse lexoni në ato rreshta të shkruara me dorë, aty nuk ka fjalë të mëdha politike. Ka vetëm fjalë të sinqerta njerëzore – dhimbje, mall dhe dashuri për jetët që u shuan shumë herët. Shembulli njerëzor e zbuti sado pak trishtimin e madh të vendit. Pamë mjekë dhe infermierë që punuan ditë e natë për të shpëtuar jetë. Pamë zjarrfikës dhe policë që reaguan me guxim dhe përkushtim. E pamë Kryqin e Kuq, së bashku me qytetarë dhe vullnetarë të tjerë, që dhuruan gjak dhe ofruan ndihmë të menjëhershme për familjet, si dhe njerëz që u mobilizuan pa kursim", tha ai.

Kujtimi i viktimave të Koçanit duhet të jetojë në secilin prej nesh.

"Sa herë që një prind e përqafon fëmijën e tij, sa herë që një i ri i ndërton ëndrrat e tij, sa herë që një profesionist e bën punën e tij me ndershmëri dhe sa herë që një institucion vepron me përgjegjësi, ne kështu duhet t’i përgjigjemi kësaj tragjedie. Ndoshta kjo është mënyra më e denjë për t’i kujtuar dhe nderuar ata, duke bërë që ngjarje të tilla kurrë të mos përsëriten dhe që asnjë familje tjetër të mos e përjetojë një dhimbje të tillë", tha ai.

Tragjeditë si kjo, shtoi ai, na tregojnë se përgjegjësia e institucioneve është më e madhe seç e vlerësojmë dhe se drejtësia është më e rëndësishme seç e imagjinojmë.

"Prandaj është thelbësore që institucionet kompetente – Prokuroria Publike, gjykatat, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha organet hetimore, të punojnë në këtë proces me profesionalizëm, pavarësi dhe transparencë të plotë. Drejtësia nuk duhet të jetë as e shpejtë për efekt politik, por as e vonuar. Vetëm drejtësia dhe e vërteta mund të sjellë qetësi për familjet dhe për shoqërinë. Unë i inkurajoj institucionet e drejtësisë që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe kjo lëndë t’i adresojë saktë gabimet dhe fajtorët e kësaj tragjedie. Kjo është mënyra e vetme për ta qetësuar dhimbjen e atyre që i humbën të dashurit e tyre, por edhe leksion se zbatimi i ligjit në shtetin tonë është detyrim nga i cili askush nuk amnistohet", theksoi Gashi.

Në mesin e atyre që i humbëm pati artistë që ndriçuan për vite me radhë skenën, pati yje të futbollit që po ngriheshin gradualisht dhe kushedi sa profesionistë të fushave të ndryshme që po prisnin të na bënin krenarë. 

"Atë natë ata po i këndonin jetës, shpresave, dashurisë dhe së nesërmes. Kënga e dikurshme e grupit DNK “Nëse nesër nuk jam më”, që deri atë natë përfaqësonte vetëm një refren, sot merr tjetër kuptim për secilin që e dëgjon, sepse për disa prej atyre që këndonin e nesërmja nuk erdhi më, ndërsa për të tjerët e nesërmja erdhi, por pa ata që e këndonin", tha Gashi.

Foto: Kuvendi

Тагови

Остани поврзан