• петок, 13 март 2026

Sali: Pushteti i fuqishëm lokal është parakusht kryesor për integrim të suksesshëm evropian

Sali: Pushteti i fuqishëm lokal është parakusht kryesor për integrim të suksesshëm evropian

Shkup, 11 mars 2026 (MIA) - Në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale me mbështetjen e SIGMA/OECD dhe në praninë e përfaqësuesve të Qeverisë, BNJVL-së dhe komunave, sot u mbajt një ngjarje kushtuar forcimit të bashkëpunimit ndërkomunal (IMC) në Maqedoninë e Veriut, informojnë nga Ministria për Çështje Evropiane.

Në këtë ngjarje u drejtua edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili theksoi se vetëqeverisja e fortë lokale është parakusht kyç për integrim të suksesshëm evropian.

“Reformat nuk zhvillohen vetëm në nivel qendror. Ato realizohen në komuna, aty ku qytetarët i ndjejnë drejtpërdrejt efektet e politikave publike. Forcimi i bashkëpunimit ndërkomunal nënkupton efikasitet më të madh, shërbime më cilësore dhe kapacitet më të lartë për shfrytëzimin e fondeve evropiane", theksoi ministri Sali.

Gjatë ngjarjes u prezantuan aktivitetet e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për avancimin e IMC-së, si dhe praktika të mira nga rajoni dhe vendet e BE-së. Gjithashtu u prezantua një rast i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkomunal nga Maqedonia e Veriut.

Qeveria, siç thonë nga MÇE mbetet e përkushtuar ndaj reformave në administratën publike dhe forcimit të kapaciteteve të pushtetit lokal si pjesë e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian. mb/

Foto: Ministria për Çështje Evropiane

Остани поврзан