• петок, 13 март 2026

Sali - Bretel: Koordinim i intensifikuar me Komisionin Evropian për zbatimin e Agjendës së Reformës

Sali - Bretel: Koordinim i intensifikuar me Komisionin Evropian për zbatimin e Agjendës së Reformës

Shkup, 12 mars 2026 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot zhvilloi një takim me Sigrid Brettel, shefe e njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST) të Komisionit Evropian. Në takim u diskutua për progresin në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe për koordinimin e vazhdueshëm me Komisionin Evropian lidhur me përmbushjen e hapave të reformës.

Siç kumtoi kabineti i ministrit, Sali theksoi se institucionet vazhdojnë të punojnë intensivisht në realizimin e detyrimeve reformuese dhe se pritet progres pozitiv në përmbushjen e hapave të lidhur me kërkesën e tretë për disbursimin e fondeve. Ai theksoi se Qeveria është plotësisht e vetëdijshme se periudha në vijim është kritike për realizimin e reformave, veçanërisht në kontekst të afateve dhe hapave që janë në periudhë grace deri në qershor të vitit 2026.

Në takim u mirëprit edhe vazhdimi i koordinimit të rregullt me shërbimet e Komisionit Evropian, përfshirë takimet mujore koordinuese dhe sesionet e monitorimit, të cilat janë të rëndësishme për përmbushjen në kohë të detyrimeve dhe për parandalimin e humbjes së mundshme të fondeve.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për progresin në përgatitjen e udhërrëfyesve që lidhen me sundimin e ligjit, administratën publike dhe investimet e huaja direkte, si dhe për Planin e Veprimit për të drejtat e komuniteteve. U theksua se pas marrjes së mendimeve nga ekspertët dhe përfundimit të konsultimeve publike, dokumentet do të finalizohen dhe do t’i dorëzohen Qeverisë për miratim.

Në kuadër të bisedës u trajtuan edhe çështje që lidhen me harmonizimin e legjislacionit kombëtar me të drejtën e Bashkimit Evropian, përfshirë zgjidhjet ligjore në fushën e drejtësisë dhe komunikimeve elektronike, si dhe progresi në përgatitjet për iniciativën “Roam Like at Home”, theksohet në kumtesëne  Ministrisë së Çështjeve Evropiane. 

Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian, me qëllim ruajtjen e dinamikës së reformave dhe avancimin e procesit të integrimit evropian. ls/

Foto: MÇE

 

 

Остани поврзан