Rute: Vetëm Trampi mund ta kapërcejë qorrsokakun në luftën në Ukrainë
- Ekziston vetëm një person në të gjithë botën që mund ta kapërcejë qorrsokakun kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, dhe ai është presidenti i SHBA-së Donald Tramp, dhe ai po e bën këtë, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute në konferencë për shtyp pas përfundimit të takimit të sotëm të ministrave të Punëve të Jashtme të anëtareve të Aleancës.
Bruksel, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Ekziston vetëm një person në të gjithë botën që mund ta kapërcejë qorrsokakun kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, dhe ai është presidenti i SHBA-së Donald Tramp, dhe ai po e bën këtë, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute në konferencë për shtyp pas përfundimit të takimit të sotëm të ministrave të Punëve të Jashtme të anëtareve të Aleancës.
"Kjo është thelbësore, sepse SHBA-ja është padyshim aleati më i madh në NATO dhe vendi më i fuqishëm në botë. Por arritja e paqes nuk është një vijë e drejtë. Është i nevojshëm një propozim në tryezë, diskutime. Kjo është një qasje hap pas hapi", tha Rute.
Për këto arsye, siç tha, nuk do të donte të dëmtonte procesin e paqes duke komentuar çdo hap të tij, por theksoi se NATO është në kontakt të vazhdueshëm me SHBA-në, me kë ndan të njëjtin qëllim për të siguruar paqe dhe për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës.
Megjithatë, sipas Rute-s, ndonëse të gjithë duan që gjakderdhja të ndalet, përderisa negociatat vazhdojnë, NATO nuk duhet të lëkundet në angazhimin e tij për të mbështetur Ukrainën.
“Mbështetja jonë duhet të vazhdojë me forcë të pashuar për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet sot dhe të parandalojë agresione të ardhshme, për të mirën e saj dhe për tonën”, thaeksoi Rute.

Ai theksoi se Ukraina vazhdon të tregojë një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, madje edhe kur Presidenti rus Vladimir Putin beson se mund të ketë sukses, dhe se diskutimet në takimin e sotëm ishin një tjetër shenjë e qartë se ai gabohet. Rute theksoi se për momentin është kyçe është të sigurohet që Ukraina të ketë armët që i nevojiten për të luftuar.
“Rusia po vazhdon luftën e saj brutale kundër Ukrainës, duke synuar gjithnjë e më shumë njerëzit dhe infrastrukturën e saj kritike përderisa afrohet dimri. Rusia gjithashtu po demonstron sjellje gjithnjë e më të papërgjegjshme kur bëhet fjalë për NATO-n, siç është shkelja e hapësirës sonë ajrore, kryerja e sulmeve kibernetike dhe vendosja e satelitëve për të hartuar infrastrukturën nënujore të aleatëve. Këto incidente kanë nxjerrë në pah nevojën për vigjilencë të palëkundur”, tha Rute.
Sipas tij, kjo është pikërisht arsyeja pse anëtarët e NATO-s po përforcohen ndjeshëm, por duhet të bëjnë edhe më shumë në të ardhmen.
“Aleatët e NATO-s kanë diskutuar për më shumë përpjekje, për rritje të investimeve në mbrojtje, përmirësim të prodhimit dhe rritje të mbështetjes për Ukrainën, ndërsa përgatitemi për samitin e ardhshëm në Ankara vitin e ardhshëm”, tha Rute.

Lidhur me ndarjen e barrës rreth mbështetjes për Ukrainën, Rute tha se i kupton kundërshtimet e vendeve veriore për këtë çështje, por theksoi se ka mbetur një numër i vogët i anëtareve të NATO-s që nuk janë zotuar ende se do të marrin pjesë në dorëzimin e ndihmës ushtarake për Kievin.
"Pothuajse dy të tretat e anëtarëve kanë bërë premtime dhe vetëm disa vende të tjera nuk e kanë shprehur ende angazhimin e tyre ndaj procesit. Ky është një lajm i mirë. Aktualisht, angazhimi për ndarjen e barrës është shumë më i lartë sesa ishte gjashtë javë më parë", tha Rute.
Sipas tij, ky është një mesazh i qartë për Putinin se NATO nuk po tërhiqet. "E gjithë kjo ushtron presion mbi rusët dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë", shtoi ai.
Në pyetjen nëse të gjithë anëtarët e Paktit mbeten të mendimit se Rusia është kërcënimi kryesor për sigurinë e Aleancës, Rute tha se ky është koncepti strategjik i NATO-s dhe se nuk ka arsye për ta debatuar lidhur me këtë, pasi të gjitha masat që po zbatohen janë plotësisht në përputhje me këtë qasje dhe strategji. ls/
Foto: NATO