• сабота, 16 мај 2026

Rokasi nga Struga: BE-ja do të bëjë gjithçka që mundet që Struga dhe Ohri ta ruajnë statusin në UNESKO

Rokasi nga Struga: BE-ja do të bëjë gjithçka që mundet që Struga dhe Ohri ta ruajnë statusin në UNESKO

Strugë, 23 prill 2026 (MIA) – Menaxhimi me mbeturinat e ngurta dhe trajtimi i ujërave të kanalizimit janë prioritete të larta në të cilat Bashkimi Evropian do të bëjë gjithçka që ka mundësi me qëllim që Struga dhe Ohri ta ruajnë statusin në UNESKO. Këtë e theksoi sot ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mikail Rokas pas takimit me kryetarin e Komunës Strugë, Mendi Qyra. 

Në takim, siç theksoi Rokasi, ishte biseduar për rrugën e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për sfidat me të cilat përballet Komuna e Strugës. 

"U ngritën shumë çështje. Njëra prej tyre ishte menaxhimi i mbetjeve të ngurta dhe nevoja për përpunimin e tyre. Është gjetur zgjidhje duke ndërtuar një qendër rajonale ose fabrikë për përpunimin e mbetjeve të ngurta. Do të shpallet tender për përzgjedhjen e një kompanie që do ta zbatojë këtë. Një problem tjetër që u ngrit është trajtimi i ujërave të zeza, të cilat derdhen në liqen. Këto janë prioritete kryesore me të cilat ne, si Bashkim Evropian, do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë në mënyrë që si Struga ashtu edhe Ohri të mund të ruajnë statusin e tyre në UNESKO", deklaroi Rokasi pas takimit.

Për përmirësimin e jetës së qytetarëve, ai theksoi se BE-ja e ka programin "People to People" ose "Njerëzit për njerëzit", si dhe programe për bashkëpunim ndërkufitar me Greqinë dhe Shqipërinë. 

Sipas ambasadorit evropian, ishte ngritur edhe çështja për ndërtimin e kopshteve për fëmijë, si pjesë e reformave që duhen të bëhen në sferën e arsimit. 

"I premtova kryetarit të komunës se do të kthehem për vizitë me ekipin tim në lidhje me këtë çështje, për të parë se si mund të gjejmë zgjidhje. Më thanë se ka një numër të madh fëmijësh në listën e pritjes për t'u regjistruar në çerdhe. Në këtë kohë të vitit, duke marrë parasysh që jemi tashmë në mes të vitit, është pak më e vështirë të gjesh mjete për financim. Megjithatë, ne gjithmonë kemi agjendën e reformave këtu që parashikon mjete. Do ta diskutoj këtë çështje edhe me përfaqësuesit e Qeverisë në mënyrë që ata ta trajtojnë këtë si një prioritet për Komunën e Strugës", nënvizoi Rokasi.

Kryetari Qyra theksoi se biseda kishte kaluar në atmosferë miqësore. 

"I treguam dhe i vërtetuam se jemi për bashkëpunim dhe vazhdim të rrugës drejt Bashkimit Evropian. Hapëm shumë tema dhe probleme me të cilat përballet Struga. Gjithashtu e informuam për projektet që janë duke u zbatuar aktualisht, disa prej të cilave financohen përmes mjeteve të BE-së", theksoi Qyra. fc/

Foto: MIA 

 

Остани поврзан