• среда, 07 мај 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Ramadani: ASH garanton stabilitet në qeveri

Ramadani: ASH garanton stabilitet në qeveri

Shkup, 22 prill 2025 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i ASH-së, Blerand Ramadani, në emisionin ZOOM, ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me ato lokale. Ai tha se kjo mund të ndodhë varësisht qasjes së Qeverisë mbi ASH-në.

Ramadani ka shtuar se në rast se vjen mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare atëherë ne si subjekt do të organizohemi në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Largimi i ASH-së nga Qeveria do të mund të impononte një mundësi që të mbahen zgjedhjet të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, pasi ASH është subjekti politik i cili garanton stabilitet në shumicën qeveritare”, tha Ramadani.

Ramadani ka folur edhe për mundësinë e bashkimit të Aleancës për Shqiptarët. Ramadani ka deklaruar se ata kanë qenë bashkë për shtatë vite dhe vetëm një vit kanë qenë të ndarë dhe janë përballur mes tyre. Ai tha se më shumë ka arsyeje për bashkëpunim sesa për ballafaqim.

“Nuk është çështja te bashkimi i emrave, por duhet të ketë bashkim të koncepteve dhe emrave. Tani është koha të ofrojmë zgjidhje për partinë dhe qytetarët tanë. Nuk duhet ta rikthejmë debatin në aspektin emocional dhe personal, pasi atëherë do ta vështirësojmë ribashkimin. Shqiptarët kanë më shumë nevojë për bashkim dhe jo përçarje dhe bashkimi sjellë fryte”, u shpreh Ramadani.

Sekretari i Përgjithshëm i ASH-së tha se vendimi i ASH-së për të garuar me lista të veçanta për Këshilltarët është vendim që nga tetori i vitit të kaluar. Ramadani ka shtuar se kjo ka qenë një mënyrë për ta nxitur konkurrencën brenda partisë dhe koalicionit.

“Përmes kandidaturave të veçanta ne do të kishim nxitur partitë politike partnere por edhe ata kundërshtare që të nxjerrin kandidatët më të mirë të mundshëm dhe kjo do të ishte edhe më pozitive për komunat dhe vendbanimet shqiptare”, tha Ramadani.

Ai shtoi se vendimi i ASH-së ishte unanimisht i përkrahur nga kryetarët e degëve dhe anëtarësia e ASH-së dhe të gjithë jemi të bashkuar në këtë vendim për t’ju dhënë hapësirë resurseve tona brenda partisë. 

Ramadani, në emisionin ka folur rreth mundësisë së daljes së Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria. Ai tha se çështja e vendimmarrjes se a do të jemi në qeveri apo jo ASH e vendos përmes konsensusit partiak.

“Çështja kryesore ishte pjesëmarrja në zgjedhje lokale, por tani varësisht rrethanave dhe vendimeve nga partnerët e koalicionit do të kemi një qëndrim edhe ne. ASH nuk e ka pasur problem të lëshojmë qeverinë kur kemi besuar në kauzën tonë. Por a është kjo e nevojshme duhet të dëgjohet qëndrimi i kryesisë së ngushtë. Ne kemi qenë konsistent edhe në koalicion edhe në qeveri. Si dhe kemi dëshmuar profesionalizëm në pozitat që kemi marrë. Kjo është një gjë për të vlerësuar pasi është një parim i ri në politikëbërje”, u shpreh Ramadani.

Ai në emisionin ZOOM tha se vija të kuqe dhe dyer të mbyllur nuk kanë për asnjë subjekt politik shqiptarë dhe bashkëpunimin me çdo parti politike do të diskutohet në kryesinë qendrore dhe do të jenë transparent me publikun. bsh/

Foto: MIA arkiv

Остани поврзан