Qeveria e re e Austrisë do të japë betimin
- Qeveria e re e Austrisë sot do të japë betimin para presidentit Aleksandar van der Belen.

Vjenë, 3 mars 2025 (MIA) - Qeveria e re e Austrisë sot do të japë betimin para presidentit Aleksandar van der Belen.
Qeveria përbëhet nga tre parti – nga Partia Popullore Austriake (OVP), Partia Socialdemokrate e Austrisë (SPO) dhe Neos.
Lideri i OVP-së, Kristian Shtoker do të jetë kancelar, ndërsa kryetari i SPO-së, Andreas Babler do të jetë zëvendëskancelar. Ndërsa kryetarja e Neos-it, Beate Majnël-Rajzinger do të jetë ministre e Punëve të Jashtme.
Ceremonia e dhënies së betimit shënon fundin e tentimeve pesëmujore për të formuar qeverinë e re të Austrisë. Partia e djathtë austriake e Lirisë (FPO) fitoi numrin më të madh të votave në zgjedhjet parlamentare vitin e kaluar, por tani do të jetë opozitë.
Koalicioni trepalësh në pushtet u formua pasi Neos vendosi të jetë pjesë e qeverisë së re së bashku me OVP-në dhe SPO-në.
Qeveria e re austriake planifikon ligje më të rrepta për migracionin, politikë më të favorshme tatimore për qytetarët mesatarë dhe ka paralajmëruar vazhdimësi në politikën e jashtme dhe të BE-së, që përfshin mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën.
Tre partitë negociuan për koalicion pas zgjedhjeve të shtatorit, por negociatat dështuan në shkurt për shkak të mosmarrëveshjeve midis SPO-së dhe Neos. Pastaj mandati për të formuar qeverinë e mori FPO. Por negociatat mes FPO-së dhe OVP-së dështuan për shkak të mosmarrëveshjeve për ndarjen e kompetencave. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s