• сабота, 16 мај 2026

Përvoja evropiane për “Shkupin 2028”, takime, punëtori dhe ekspozitë në kryeqytet

Përvoja evropiane për “Shkupin 2028”, takime, punëtori dhe ekspozitë në kryeqytet

Shkup, 16 prill 2026 (MIA) - Përfaqësues të autoriteteve lokale nga Kemnici (Gjermani), Gorica (Itali) dhe Gorica e Re (Slloveni) sot do ta vizitojnë Shkupin, ku së bashku me Qytetin e Shkupit do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh kushtuar shkëmbimit të përvojave në lidhje me titullin "Kryeqyteti evropian i kulturës", të cilin Shkupi do ta mbajë në vitin 2028.

Programi fillon me një takim të nivelit të lartë në Qytetin e Shkupit, në të cilin kryetarët e komunave dhe delegacionet do të diskutojnë mundësitë dhe sfidat që sjell organizimi i kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore evropiane.

Pas takimit, është planifikuar një shëtitje simbolike nëpër zonën qendrore të qytetit, nga ura "Goce Dellçev" deri në "Shtëpinë e Evropës" në Shkup.

Hapja zyrtare e sesionit të punës do të mbahet në Shtëpinë e Evropës me fjalime hyrëse nga ambasadori në detyrë i delegacionit të Bashkimit Evropian, Ben Nupnau, kryetari i Shkupit, Orce Gjorgievski, si dhe kryetarët e komunave të Goricës së Re dhe Goricës - Samo Turel dhe Rodolfo Siberna. Fjalim do të mbajë edhe përfaqësuesja e Kemnicit - Kryeqyteti evropian i kulturës, Xhozefin Hage.

Pas hapjes do të mbahet një punëtori teknike ku përfaqësuesit e Kryeqyteteve evropiane të kulturës për vitin 2025 do të ndajnë përvojat dhe praktikat e tyre të mira me ekipin organizativ të "Shkupit 2028".

Vizita do të përmbyllet me hapjen e ekspozitës "Inspirim" në Muzeun e Qytetit të Shkupit e cila përmban fotografi nga Kryeqytetet evropiane të kulturës për vitin 2025. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun, pa pagesë, nga 15 deri më 26 prill të këtij viti.

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан