Putini i kënaqur me rezultatet e bisedimeve ruso-amerikane në Riad
- Presidenti rus Vladimir Putini sot deklaroi se është informuar për përfundimet e negociatave ruso-amerikane në Arabinë Saudite dhe se është i kënaqur me rezultatet.

Moskë, 19 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putini sot deklaroi se është informuar për përfundimet e negociatave ruso-amerikane në Arabinë Saudite dhe se është i kënaqur me rezultatet.
"Po, jam i informuar. I vlerësoj shumë, ka rezultate", tha Putini, duke shtuar se Ukraina nuk do të përjashtohet nga negociatat për t'i dhënë fund luftës.
Putini e përshkroi atmosferën e negociatave ruso-amerikane në Riad si "qëllimmira" dhe theksoi veçanërisht hapjen e delegacionit amerikan.
"Pa rritjen e nivelit të besimit midis Rusisë dhe SHBA-së, është e pamundur të zgjidhen shumë çështje, përfshirë krizën në Ukrainë", tha presidenti rus në deklaratën e tij të parë dje pas takimit në Riad.
"Qëllimi i këtij takimi ishte pikërisht rritja e besimit midis Rusisë dhe SHBA-së", theksoi ai.
Ukraina dhe qeveritë evropiane nuk ishin të ftuara në bisedimet në kryeqytetin saudit, duke nxitur druajtjet e tyre se Rusia dhe SHBA-ja mund të arrijnë marrëveshje që shpërfill interesat e tyre vitale. Por, Putin tha se Rusia nuk e ka përjashtuar kurrë mundësinë e bisedimeve me evropianët apo me Kievin dhe janë ata që kanë refuzuar të bisedojnë me Moskën, theksojnë agjencitë.
"Nuk i imponojmë asgjë askujt. Jemi gati, njëqind herë e kam thënë, nëse duan le të bëhen këto negociata. Dhe ne do të jemi gati të kthehemi në tryezën e bisedimeve", tha ai.
"Askush nuk po e përjashton Ukrainën", shtoi Putini, duke vënë në dukje se prandaj nuk ka nevojë të reagohet "histerikisht" ndaj SHBA-së dhe Rusisë.
Presidenti rus shtoi se me kënaqësi do të takohej me homologun e tij amerikan, Donald Tramp.
"Por, ne jemi në një situatë të tillë që nuk mjafton të takohemi për të pirë çaj dhe kafe, të ulemi e të flasim për të ardhmen. Ekipet tona duhet të përgatisin çështjet që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për SHBA-në dhe Rusinë, si dhe për Ukrainën, në mënyrë që të arrijmë zgjidhje që janë të pranueshme për të dyja palët", përfundoi Putini.
Foto: Arkivi i MIA-s