• вторник, 21 април 2026

PTHP NJKOK: Gjurmët e ADN-së janë kyçe në aktakuzën kundër gjyqtarit të apelit Gjoko Ristov për 350.000 eurot e murosura

PTHP NJKOK: Gjurmët e ADN-së janë kyçe në aktakuzën kundër gjyqtarit të apelit Gjoko Ristov për 350.000 eurot e murosura

Shkup, 20 prill 2026 (MIA) – Gjurmët e ADN-së të gjetura në materialet me të cilat ishin mbështjellë paratë e fshehura janë një nga provat kyçe mbi të cilat Prokuroria e bazon aktakuzën kundër gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov. Sipas Prokurorisë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ekspertizat biologjike kanë treguar në mënyrë të qartë se pikërisht Ristov i ka manipuluar dhe fshehur mjetet financiare, të cilat u gjetën të muruara në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë.

Sipas Prokurorisë, gjatë procedurës hetimore janë siguruar prova të forta dhe të pakundërshtueshme se Ristov ka fshehur mjete financiare për të cilat nuk ka mundur të dëshmojë prejardhjen e ligjshme, dhe të cilat, siç pretendon Prokuroria, ai vetë i ka manipuluar dhe i ka fshehur.

"Ajo që në fillim të hetimit ishte dyshim i bazuar, në fund vetëm u konfirmua. I akuzuari paraqiti mbrojtje, por rrjedha e hetimit e përgënjeshtroi plotësisht atë dhe e forcoi edhe më shumë tezën tonë", deklaroi Haxhi Vasileva pas brifingut të sotëm në PTHP NJKOK. 

Paratë janë gjetur në një hapësirë të muruar në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit në Negotinë, të paketuara në disa pako të veçanta. Sipas Prokurorisë, Ristov personalisht e ka kryer fshehjen e mjeteve, për çka, siç u theksua, ekzistojnë prova materiale, përfshirë edhe gjurmë biologjike (ADN) në materialet (folie alumini) me të cilat ishin mbështjellë shumat e parave.

"Me ekspertizën e gjurmëve biologjike kemi vërtetuar se pikërisht i akuzuari është personi që i ka fshehur këto para – tha prokurorja, duke shtuar se në hapësirën janë gjetur fletëza me shenja dhe numra të lëndëve, për të cilat Prokuroria pretendon se tregojnë përdorimin e hapësirave nga ana e Ristovit.

Edhe pse Prokuroria në këtë fazë nuk pretendon drejtpërdrejt se gjyqtari ka marrë ryshfet, Haxhi Vasileva theksoi se provat e siguruara tregojnë për praktika të tregtimit me ndikim dhe ndërmjetësim korruptiv.

"Ne ende nuk pretendojmë, as me vetë aktakuzën, se i akuzuari ka marrë drejtpërdrejt ryshfet. Megjithatë, mund të pohojmë se edhe në të kaluarën kanë ekzistuar praktika të shumta, për të cilat kemi siguruar prova, e që tregojnë për tregtim me ndikim dhe veprime korruptive në nivel të tërthortë", tha ajo.

Prokuroria ka propozuar edhe konfiskimin e pasurisë për të cilën ekziston dyshimi se është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Sa i përket përfshirjes eventuale të anëtarëve të familjes, prokurorja theksoi se çështja me aktakuzën është e drejtuar ekskluzivisht ndaj Gjoko Ristovit, ndërsa rrjedhat financiare të bashkëshortes janë analizuar vetëm nga aspekti i prejardhjes së pasurisë.

Në një pyetje të gazetarëve nëse ish-prokurori i shtetit Fehmi Stafa, i cili më parë ishte dënuar në një rast të lidhur, do të thirret si dëshmitar, Haxhi Vasileva u përgjigj se “në këtë fazë nuk ka një nevojë të tillë”.

Rasti kundër gjyqtarit Ristov doli nga hetimi për avokatin Fehmi Stafa, i cili në dhjetor të vitit 2025 u kap në flagrancë duke marrë 20.000 euro, pjesë e një shume të dakorduar prej 100.000 euro, të destinuara për ndikim të kundërligjshëm mbi një gjyqtar të Apelit për heqjen e masës së paraburgimit. Stafa e pranoi fajin, lidhi marrëveshje me Prokurorinë dhe u dënua me një vit e tre muaj burg.
 
Siç kumtoi sot prokurorja, edhe pse në rastin konkret paratë nuk kanë arritur deri te gjyqtari, kontrollet pasuese kanë çuar në zbulimin e gjithsej 350.000 eurove për të cilat, sipas Prokurorisë, Gjoko Ristov nuk ka dëshmi për prejardhje të ligjshme dhe nuk i ka deklaruar në fletët anketuese.

"Ky rast ka hapur shumë kënde, ne jemi me kaq njerëz, burimet janë ato që janë, dhe po vazhdojmë të hetojmë gjithçka që mund të hetojmë", porositi Haxhi Vasileva.

Procedura ndaj gjyqtarit të Apelit vazhdon, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar se, nëse ekziston dyshim, do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të verifikuar edhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

Остани поврзан