Psikologia kroate, Barbara Udoviçiq, për MIA-n: Largohuni nga marrëdhënia për të cilën paguani një çmim të lartë me qetësinë dhe shëndetin tuaj
- Mund të heqësh dorë nga dikush pa u ndjerë fajtor kur çmimi që paguan për paqen dhe shëndetin tënd bëhet shumë i lartë. Heqja dorë nga dikush që na lodh nuk është tradhti ndaj tjetrit, por një akt dashurie për atë që ka mbetur prej nesh. Kufiri është vendi ku përfundon bashkekzistenxa dhe fillon mbijetesa, shprehet në intervistën për MIA-n, psikologia, Barbara Udoviçiq nga Kroacia.
Branka D. NAJDOVSKA
Mund të heqësh dorë nga dikush pa u ndjerë fajtor kur çmimi që paguan për paqen dhe shëndetin tënd bëhet shumë i lartë. Heqja dorë nga dikush që na lodh nuk është tradhti ndaj tjetrit, por një akt dashurie për atë që ka mbetur prej nesh. Kufiri është vendi ku përfundon bashkekzistenxa dhe fillon mbijetesa, shprehet në intervistën për MIA-n, psikologia, Barbara Udoviçiq nga Kroacia.
Kur për herë të parë do të hasni në videon e saj, do të mendoni se bëhet fjalë për edhe një nga "lajf kouçët" e shumtë, të cilët në mënyrë masive dhe të imponuar i përfshijnë rrjetet sociale. Mirëpo, e kuptoni shpejtë se kjo është diçka krejtësisht e ndryshme. Këtu nuk bëhet fjalë për fjalim banal, kopi-pejst, motivues ose zgjidhje të thjeshta për probleme të ndërlikuara, por për pikëpamje "të vrazhdë", të ndershme dhe ndonjëherë, të pakëndshme të realitetit.
Barbara Udoviçiq (Rieka, viti 1975), kohëve të fundit u bë emër që shkaktoi reagim në gjithë rajonin ballkanik. Rruga e saj e gazetares (“Kanal Ri”) deri në psikologe, e më pas në zë digjital me ndikim është një histori që pasqyron frymën e kohës sonë, kur kufijtë midis profesionales dhe personales, akademikes dhe popullores, janë gjithnjë e më pak të qartë.
Nuk ka ton tipik terapeutik. As qëndrim, as patetizëm, as pretendim, as fraza të tilla si "gjithçka do të jetë në rregull". Në vend të kësaj, Udoviçiq flet si një njeri që ka parë koxha jetë për të besuar në përgjigje të lehta. Ajo flet hapur për privatësinë e saj, feminitetin dhe stigmatizimin e saj, divorcin e saj, fëmijët e birësuar... pa mësime imponuese, por përmes shembujve personalë ajo dërgon mesazhe, të cilat nuk janë saktësisht ato që duam të dëgjojmë.
Në këtë kaos të psikologjisë-pop dhe mjekësisë hip-hop, kur të gjithë ndihen si ekspert për gjithçka, na duhet një zë që do të thotë: "Ndal. Nuk është e gjitha depresion. Nuk është e gjitha traumë. Ndonjëherë je thjesht dembel. "
Ndikimi i saj i tejkalon kufijtë rajonalë pikërisht sepse flet për dobësi universale njerëzore: tendencën për t'iu shmangur përgjegjësisë, për të kërkuar fajtorë jashtë vetes, për të pritur që jeta do të jetë e lehtë. Për pasqyrën e zhgënjimeve, frikës dhe dëshirave tona kolektive.
Udoviçiq thjesht thotë, se ndoshta asgjë nuk është dhe nuk do të jetë në rregull, por kjo është gjithashtu normale.

Çfarë keni mësuar për njerëzit si gazetarë, e jo në studimet tuaja të psikologjisë?
- Mësova se secili prej nesh sjell një histori që do të na thyente zemrën nëse do ta dinim të gjithë historinë. Psikologjia na mëson proceset, por gazetaria na mëson se gjërat më të rëndësishme shpesh thuhen vetëm kur mikrofoni është i fikur, në atë hapësirë të vështirë midis dy pyetjeve. Njerëzit nuk duan të analizohen, ata duan të dëgjohen. Sipas mundësisë, pa gjykim.
A keni ndjerë se profesioni juaj ju largon nga jeta juaj "e zakonshme"?
- Jo, përkundrazi. Jeta ime "e zakonshme" janë fëmijët e mi, gërhitja e qenit tim, nxënia ime... kjo është ajo që është e vërtetë. Dhe, për mua, gjëja më e rëndësishme. Profesioni im, sidomos kohët e fundit, shpesh më ofron vëmendje, por është jeta që më jep paqe. Dhe, nëse ndonjëherë ndihem e shtyrë, është një shenjë se kam qëndruar në skenarin e dikujt tjetër për shumë kohë dhe se është koha të kthehem në bazën time.
A keni dyshuar ndonjëherë në pikëpamjet tuaja dhe çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë?
- Vazhdimisht dyshoj dhe pyes veten. Dyshimin e shoh si higjienë mendore. Nëse jeta të "fshin" disa herë, atëherë e kupton se qëndrimet e forta shpesh janë vetëm mburojë. Do të thoja gjithashtu se sot u besoj dyshimeve të mia më shumë sesa sigurive të mia. Dyshimi na lë hapësirë për rritje.
Ku mbaron psikologjia, e ku fillon arsyeja e shëndoshë?
- Nëse psikologjia mbaron diku, aty është vendi ku fillon jeta praktike. Psikologjia mund të shpjegojë pse jemi të mërzitur, por arsyeja na tregon se duhet të lajmë enët ose të shëtisim qenin. Do të thosha se të gjithë ndonjëherë e mbianalizojmë rrënjën e problemit, duke harruar se zgjidhja shpesh është në veprimin më të thjeshtë. Mendja e shëndoshë është, në fakt, një psikologji që ka hequr kostumin dhe xhinset e saj.
A nuk e "analizojnë" njerëzit sot veten më shumë sesa jetojnë?
- Pajtohem me këtë. Shpesh jemi të burgosur të introspeksionit tonë. Ne vazhdimisht "përtypim" mendimet tona, duke shpresuar të gjejmë paqe në to. Por vështirë se do ta gjejmë atë paqe në analizimin e rrëmujës, do ta gjejmë më shumë në mësimin se si të marrim frymë ndërsa ajo rrëmujë zgjat. Derisa kërkojmë "diagnozën e duhur" për një ditë të keqe, na ndodh jeta.
Cili është miti më i madh i shëndetit mendor që shihni vazhdimisht në internet dhe në mjedisin tuaj?
- Definitivisht ai për mënyrën se si qëllimi është të jesh "gjithmonë i lumtur". Tashmë është shndërruar në një tirani emocionale. Shëndeti mendor nuk është mungesa e trishtimit ose frikës, por aftësia për të jetuar me ato ndjenja, pa i lejuar ata të "marrin timonin". Problemi më i madh është insinuata se ne jemi "të thyer" nëse nuk jemi vazhdimisht versioni më i mirë i vetvetes.
A keni pasur ndonjëherë frikë nga ndikimi juaj tek njerëzit?
"E pra, jo me të vërtetë, të paktën tani për tani. Më duhet të pranoj se nuk më pëlqen titulli "shpëtimtar". Është shumë e rëndë për mua. Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë distancohem nga çdo këshillë. Është përgjegjësia ime të mos gënjej kur flas për atë që kam përjetuar, por secili duhet të shkojë në rrugën e vet në këpucët e veta. Ndoshta vetëm do të ndez dritën për ta bërë atë rrugë pak më pak të errët.
Çfarë nuk thoni në mediat sociale, e që e konsideroni të rëndësishme?
- Besoj se secili prej nesh ka një pjesë të vetes që nuk i përket as audiencës dhe as algoritmit, e kjo më përfshin edhe mua. Ky intimitet është rrënja jonë. Nuk po flas për ato beteja që janë ende në vazhdim dhe plagët e freskëta që nuk janë ende të sigurta për t'u prekur.
Sa e formojnë algoritmet psikologjinë sot më shumë sesa shkenca?
- Algoritmet na fusin në “flluska” ku dëgjojmë vetëm jehonën e mendimeve tona. Psikologjia dhe shkenca kërkojnë të vërtetën dhe algoritmet kërkojnë angazhim. Për fat të keq, sot është më e rëndësishme të kesh të drejtë dhe të marrësh "pëlqime" sesa të kuptosh me të vërtetë se çfarë po ndodh në ne dhe rreth nesh.
Pse njerëzit qëndrojnë në marrëdhënie që i bëjnë ata të pakënaqur?
"Sepse frika nga një zbrazëti e panjohur është më e fortë se dhimbja e njohurn. Ky është gabimi i punës së palodhur - na vjen keq për dhjetë vitet që kemi “investuar”, duke harruar se duke vazhduar atë investim, në të vërtetë po humbasim dhjetë vitet e ardhshme të paqes sonë. Përveç kësaj, në rajonin tonë, ekziston ende frika e gjykimit nga mjedisi.
A është dashuria ndryshe sot, apo kanë ndryshuar njerëzit? Cila është "beteja aktuale e gjinive"?
- Nuk do të thoja se dashuria ka ndryshuar. Megjithatë, sot askush nuk duhet të durojë më askënd, gjë që është e mrekullueshme, por në këtë liri e harruam afërsinë. "Beteja e gjinive" është në fakt betejë e egove. Burrat dhe gratë sot negociojnë më shumë sesa e duan njëri-tjetrin. Të gjithë kanë frikë të jenë të parët që zbulojnë letrat, kanë frikë nga mundësia që ajo që ndiejmë nuk do të jetë reciproke. Por, ky është pozicioni i humbësit.

Kur është në rregull të heqësh dorë nga dikush pa u ndjerë fajtor?
- Kur çmimi që paguajmë me paqen dhe shëndetin tonë bëhet shumë i lartë. Heqja dorë nga dikush që na lodh nuk është tradhti ndaj tjetrit, por një akt dashurie për atë që ka mbetur prej nesh. Kufiri është aty ku mbaron bashkëjetesa dhe fillon mbijetesa.
Çfarë "vret" maskulinitetin sot: feminizmi, "zgjimi" apo të kuptuarit se askush nuk duhet ta durojë më atë "maskulinitet"?
- Maskuliniteti vritet nga skemat që nuk funksionojnë më. Nuk është faji i feminizmit, por i kuptimit se "të jesh burrë" thjesht nuk është më një kualifikim i mjaftueshëm për respekt. Sot, një burrë duhet të ketë inteligjencën emocionale dhe guximin për të qenë partner.
Cilat janë sfidat më të mëdha të prindërimit sot?
- Rritja e një fëmije në një botë që është vazhdimisht "ndezur". Është e vështirë të jesh i pranishëm kur ekranet vazhdimisht na vjedhin vëmendjen, si për fëmijët ashtu edhe për prindërit. Besoj se çdo herë ka pasur sfidat e veta arsimore, kjo është e jona.
A ka një "kërcim kuantik" midis brezave? Cila e ardhme na pret me gjenerata të reja në kuptimin e tyre të jetës dhe jetesës?
- Nëse ekziston, do të thosha se nuk është domosdoshmërisht ekskluzivisht e keqe. Gjenerata Z nuk është brez "i butë", ata janë thjesht më të ndershëm në atë që nuk duan të vuajnë si "detyrim". Ata e njohin toksicitetin më shpejt sepse janë rritur me informacione që na është dashur t'i hulumtojmë për vite me radhë. E ardhmja na sjell breza që do të vendosin më shumë kufij, gjë që është e mirë për shëndetin mendor kolektiv.
A keni parë ndonjëherë kolegë që bëjnë më shumë dëm sesa mirë?
- Sigurisht që kam parë, kam frikë se asnjë profesion nuk privohet nga kjo.
Në grupet e shumta të mbështetjes psikologjike në rrjetet sociale, shpesh mund të dëgjosh komente për qëndrimin joprofesional të psikologëve: indiferencën e tyre gjatë seancave, “Do t'ju thërras” dhe asnjëherë nuk të thërrasin, mungesën e ndjeshmërisë, durimit... A nuk është kjo tradhti, jo vetëm e profesionit, klientëve, etikës, por edhe e zgjedhjes vetanake? Nëse psikologu nuk ju jep mbështetje, atëherë kush?
- Këto janë histori që më lëndojnë shumë, edhe si psikolog edhe si person. Psikologjia është në thelb shkenca e besimit, e kur ky besim tradhtohet, dëmi është i madh. Megjithatë, është e rëndësishme të dallohet praktika e keqe e individit nga profesioni në tërësi. Ndonjëherë arsyeja qëndron në sistemin që “bluan” ekspertët deri në djegie, dhe ndonjëherë, për fat të keq, është me të vërtetë tek njerëzit që kanë harruar pse shkuan në atë rrugë në radhë të parë. Tradhtia e klientit është një dështim serioz etik, por kjo nuk do të thotë se e gjithë psikologjia, si shkencë, ka dështuar. Nëse dikush godet një mur ku ka kërkuar ndihmë, unë do ta thirrja të mos heqin dorë nga terapia, por të vazhdojnë të kërkojnë një person që do t'i dëgjonte me të vërtetë. Besoj se ka shumë kolegë të mi që me të vërtetë e bëjnë punën e tyre me dashuri dhe përkushtim.
A mendoni se një gënjeshtër ose "e vërteta e ashpër" është më e dëmshme?
- Gënjeshtra është infeksion i ngadalshëm, ndërsa e vërteta është operacion. Dhemb derisa të pritet, por më pas plaga mund të shërohet. Unë gjithmonë do të zgjedh të vërtetën, por me një prekje humanizmi. E vërteta pa ndjeshmëri është vetëm mizori.
Njerëzit po ikin më shumë nga dhimbja apo përgjegjësia?
- Do të vija bast për përgjegjësinë këtu. Është më e lehtë të thuash "jam sëmurë" ose "ky është fati im" sesa të marrësh timonin dhe të pranosh se ne jemi përgjegjës për atë ku jemi. Dhimbja është e pashmangshme, por përgjegjësia është vendim që na frikëson sepse na privon nga pozicioni i rehatshëm i viktimës dhe na detyron të ndërmarrim veprime.
A mund të "përmirësohet" me të vërtetë çdo person?
- Besoj se nuk jemi makina të prishur që duhet të “përmirësohen”. Më mirë do të thosha se jemi historitë që duhet rregulluar. Gjithkush mund të rritet dhe të ndryshojë modelet e tij, nëse dëshiron me të vërtetë. Vetëm ata që gjejnë rehati dhe siguri në "prishjen" e tyre nuk mund të "përmirësohen".
Çfarë është diçka që njerëzit nuk duan të dëgjojnë, ndërsa do të duhej?
- Fakti që askush nuk do të vijë dhe të na shpëtojë. Ne mund të kemi mbështetjen më të mirë në botë, por ne gjithmonë e bëjmë vetë hapin e fundit përtej pragut. Ky është në fakt lajmi më i mirë sepse do të thotë që çelësi është në duart tona gjatë gjithë kohës.
Dhe njerëzve që vazhdimisht kërkojnë "kuptim", do t 'u thoshim...?
"Që duhet të fillojnë të kërkojnë prani. Kuptimi nuk gjendet në filozofitë e mëdha, por në aromën e kafesë, në buzëqeshjen e fëmijës dhe në ndjenjën se jemi këtu, tani, në lëkurën tonë.
Çfarë do të thotë për ty "jetë e mirë", pa klishe?
-Paqe. -Ndërgjegje e pastër. Fëmijë që nuk kanë frikë të thonë atë që e mendojnë. Dhe qen që të kujton se përmbushja e vetme e vërtetë është të jesh i pranishëm për ata që kanë nevojë për ty këtu dhe tani. rq/
Foto: Josip Çekada