• сабота, 16 мај 2026

Protesta e LSM-së për pagë minimale më të lartë dhe kushte më të mira pune

Protesta e LSM-së për pagë minimale më të lartë dhe kushte më të mira pune

Shkup, 1 maj 2026 (MIA) - Nën sloganin "Luftojmë për rrogë - nuk lutemi" sot në Shkup u mbajt një protestë e organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), me kërkesë për paga më të larta dhe kushte më të mira pune.

Protesta filloi nga Shtëpia e Punëtorëve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, vazhdoi para Kuvendit të Republikës, deri te Oda Ekonomike dhe përfundoi para Qeverisë.

Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, tha se shumë punëtorë sot, pavarësisht se janë të pakënaqur me pagat e tyre, kanë frikë t'u bashkohen protestave sepse besojnë se protestat i drejtohen dikujt.

"Sot, për fat të keq, 260 mijë punëtorë jetojnë me një pagë më pak se 600 euro, dhe vetëm disa mijëra njerëz dolën në protestë më 1 maj", tha Trendafilov.

Ai theksoi se "për fat të keq, një numër i madh punëtorësh po vdesin në vendet e tyre të punës sot. Ata nisen për në punë në mëngjes dhe nuk kthehen në mbrëmje. Dhe askush nuk po bën asgjë për t'i mbrojtur ata".

"Sot është 1 Maji, dita kur punëtorët në vitin 1886 dolën në rrugë, me koston e jetës së tyre, për të mbrojtur të drejtat e tyre si punëtorë, për të shkurtuar ditën e punës nga 12 orë në 8 dhe për të protestuar", kujtoi Trendafilov, duke bërë thirrje që të drejtat e punëtorëve të respektohen në vend. sa/

Foto: MIA

Остани поврзан