Propozim-konkluzione nga Samiti në Bruksel: Nuk ka bisedime për Ukrainën pa Kievin dhe për sigurinë evropiane pa BE-në (PLT)
- Nuk mund të ketë asnjë lloj negociate për Ukrainën pa pjesëmarrjen e Kievit, thuhet në tekstin e propozim-konkluzioneve të Këshillit e sotëm të posaçëm Evropian në Bruksel, kushtuar mbështetjes së Ukrainës dhe mbrojtjes së Evropës.

Bruksel, 6 mars 2025 (MIA) - Nuk mund të ketë asnjë lloj negociate për Ukrainën pa pjesëmarrjen e Kievit, thuhet në tekstin e propozim-konkluzioneve të Këshillit e sotëm të posaçëm Evropian në Bruksel, kushtuar mbështetjes së Ukrainës dhe mbrojtjes së Evropës.
Gjithashtu, në konkluzionet e dakorduara mëngjesin e sotëm nga ana e përfaqësuesve të përhershëm të vendeve-anëtare të BE-së në Bruksel, theksohet se BE-ja duhet të përfshihet në çdo bisedë lidhur me sigurinë evropiane.
Siç ka njoftuar korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë, konkluzionet tregojnë se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm si pjesë e një procesi që do të çonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes.
Kur bëhet fjalë për mbrojtjen evropiane, konkluzionet thonë se BE-ja do të "përshpejtojë mobilizimin e instrumenteve dhe financave të nevojshme" për të rritur sigurinë, "për të forcuar gatishmërinë e përgjithshme të mbrojtjes dhe për të zvogëluar varësinë e saj strategjike".
“Evropa duhet të bëhet më sovrane dhe më e përgjegjshme për mbrojtjen e saj dhe më mirë e pajisur për të vepruar dhe përballuar në mënyrë të pavarur sfidat dhe kërcënimet e menjëhershme dhe të ardhshme”, thuhet në draft-konkluzionet.
Për këtë, në dokumentin final të Samitit, liderët e BE-së pritet të shprehin mbështetjen për Planin e “Riarmatimit të Evropës”, i cili u promovua dje nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe që parashikon ndarjen e 800 miliardë eurove për mbrojtjen. Mbetet e pasigurt nëse teksti do të përmend një rritje të ndihmës ushtarake për Ukrainën, pasi kryeministri hungarez Viktor Orban njoftoi përpara samitit se ai do të vërë veton ndaj përfundimeve nëse ato përmbajnë një njoftim për mbështetje shtesë ushtarake për vendin.
Njoftim për veton ndaj konkluzioneve shpalli edhe kryeministri sllovak Robert Fico, i cili para se të nisej për në Bruksel e kushtëzoi mbështetjen e tij për dokumentin me marrjen e garancive nga BE-ja se do të bënte presion mbi Kievin për të vazhduar tranzitin e gazit rus përmes territorit ukrainas.
Për këtë qëllim, projekt-konkluzionet përfshijnë një dispozitë që Këshilli Evropian i bën thirrje Komisionit Evropian, Sllovakisë dhe Ukrainës që të intensifikojnë përpjekjet për të "gjetur zgjidhje funksionale" për çështjen e tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës, e cila pritet të miratohet nga Fico dhe ai do të heqë dorë nga vetoja.
Ky është vetëm një projekt-tekst dhe ka mundësi që të ketë ndryshime në përmbajtjen e tij në versionin përfundimtar të konkluzioneve, të cilat do të miratohen në fund të Samitit të sotëm.
Ndryshe, gjatë takimit të deritanishëm të liderëve, krerët e shteteve apo qeverive të vendeve-anëtare të BE-së kanë mbajtur një drekë pune me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, në të cilën është diskutuar për mbështetjen e Unionit për Ukrainën.
Pas drekës filloi pjesa e punës e Këshillit, ku liderët diskutuan për sigurinë dhe mbrojtjen evropiane, ndërsa bazë e diskutimit, sipas njoftimeve, do të jetë Plani për riarmatimin e Evropës, i cili u promovua dje nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. sa/
Foto: EPA