• сабота, 16 мај 2026

Prokuroria publike do të kërkojë paraburgim për 12 të dyshuar në rastin me dermatologët, ndërsa për pesë persona do të kërkohen masa kujdesi

Prokuroria publike do të kërkojë paraburgim për 12 të dyshuar në rastin me dermatologët, ndërsa për pesë persona do të kërkohen masa kujdesi

Shkup, 24 prill 2026 (MIA) – Si rezultat i një procedure paraprake hetimore disamujore dhe të thelluar, nën drejtimin e një prokurori publik nga PTHP NJKOK, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë realizoi një aksion të koordinuar dhe të gjerë për shpërbërjen e një grupi të organizuar kriminal. Në kuadër të aksionit, në bazë të urdhrave gjyqësorë të siguruar paraprakisht nga Gjykata Themelore Penale, janë kryer kontrolle në disa lokacione në Shkup, Strumicë dhe Manastir. Janë ndaluar 14 persona, mes të cilëve edhe mjekë nga ISHP “8 Shtatori” dhe ISHP “Klinika Universitare e Dermatologjisë – Shkup”, si dhe pronarë të ordinancave private dermatologjike dhe persona që kanë organizuar transportin dhe shpërndarjen e barnave dhe pajisjeve mjekësore të futura në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria njoftoi se, duke vepruar mbi kallëzimin penal të paraqitur nga Njësia për Krime Financiare pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike, një prokuror publik nga PTHP NJKOK ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 19 personave.Ekziston dyshimi i bazuar se ata janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale “bashkim kriminal”, “shkelje e të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” dhe “marrje ryshfeti”. Me kallëzimin janë përfshirë edhe gjashtë persona juridikë.

Sipas MPB-së, është ngritur kallëzim penal ndaj 19 personave fizikë dhe 6 personave juridikë: N.A. (43), S.K. (46), A.K. (41), M.GJ. (47), GJ.S. (32), S.M.S. (31) dhe V.S. (49), për veprat penale “shkelje e të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” dhe “bashkim kriminal”. Po ashtu, përfshihen edhe V.A. (61), R.T.GJ. (53) – bashkëpronare e një subjekti juridik nga Shkupi, N.K. (42) – e punësuar si mjeke në ISHP “8 Shtatori”, A.K. (45) – i punësuar si mjek në ISHP “8 Shtatori”, D.F. (44) – i punësuar në ISHP “Klinika Universitare e Dermatologjisë – Shkup”, M.I.V. (38) – e punësuar si mjeke në ISHP “8 Shtatori”, A.T. (27), S.F. (36) – menaxherë të një subjekti juridik nga Shkupi, K.A. (53) – menaxher i një subjekti juridik nga Manastiri, O.D. (65) – menaxher i një subjekti juridik nga Shkupi dhe S.A. (40) – menaxher i një subjekti juridik nga Shkupi, për veprat “shkelje e të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”, në lidhje me nenin 22 “bashkëkryerje” dhe “bashkim kriminal”, gjithashtu A.M. (38) dyshohet për “marrje ryshfeti”, “bashkim kriminal” dhe “shkelje e të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”, në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, si dhe pesë persona juridikë nga Shkupi dhe një nga Manastiri për “shkelje të të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj”.

Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar sasi të mëdha barnash dhe pajisjesh mjekësore (fillerë, botoks, acid hialuronik), 39.285 euro, 2.490 franga zvicerane dhe 26.000 denarë, një automjet i udhëtarëve i markës “Porshe”, një sasi e madhe parfumesh dhe deklarata për to, telefona mobilë, një materie bimore etj.

"Gjatë vitit 2026, me qëllim të qartë për përfitim të kundërligjshëm pasuror, shtatë të dyshuar kanë formuar dy grupe kriminale, të cilave më vonë iu janë bashkuar edhe të tjerët, duke përdorur persona juridikë nga Manastiri dhe Shkupi si mbulesë për aktivitetet e paligjshme. Grupet në mënyrë të organizuar kanë siguruar barna dhe pajisje mjekësore të falsifikuara (përfshirë botoks) nga Serbia, Koreja dhe Turqia, të cilat i kanë futur ilegalisht në territorin e vendit, me qëllim magazinimi, shpërndarjeje, shitjeje dhe aplikimi te persona të tretë. Disa nga të dyshuarit, edhe pse kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm se bëhej fjalë për barna dhe pajisje mjekësore të importuara në kundërshtim me rregullat ligjore dhe për të cilat nuk ekzistonin miratime, udhëzime apo deklarata të lëshuara nga MALMED, megjithatë kanë kryer ndërhyrje estetike, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e qytetarëve dhe duke shkaktuar rrezik serioz publik", thekson Prokuroria. 

Në kuadër të hetimit, dyshohet edhe një zyrtar doganor i cili, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, në dy raste ka pranuar ryshfet për të mundësuar hyrjen e mallrave ilegale në shtet, pa u kryer kontrolli i detyrueshëm doganor.

 
Hetimi përfshin edhe të afërm të ngushtë të disa prej të dyshuarve, të cilët, edhe pse kanë qenë në dijeni për aktivitetet e paligjshme, kanë marrë pjesë aktivisht në pranimin, magazinimin dhe ruajtjen e barnave dhe pajisjeve mjekësore të paligjshme në vendbanimet e tyre.

"Prokurori publik, duke vlerësuar të gjitha rrethanat dhe peshën e veprave penale, ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për 12 të dyshuar, dhe gjatë ditës së sotme do t’i dorëzohet gjyqtarit të procedurës paraprake propozimi për caktimin e saj. Për pesë të dyshuarit e tjerë do të propozohen masa adekuate për sigurimin e pranisë së tyre", njoftojnë nga Prokuroria. ls/

Foto: MPB

Остани поврзан