Po shqyrtohen mundësitë që Shkupi dhe Praga të lidhen me aviolinjë dhe të ketë lidhje të re ajore Ohër - Karlovi Vari
- Lidhje e Shkupit me Pragën, bashkëpunimi mes dy aeroporteve dhe vendosja e aviolinjave të reja, ishin tema e bisedave mes zëvendës kryetarit të Qeverisë dhe ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski dhe Jiri Pos, kryetar i Bordit të drejtorëve të aeroportit Vaclav Havel-Pragë, në takimin që u mbajt sot në Pragë.

Shkup, 10 mars 2025 (MIA) - Lidhje e Shkupit me Pragën, bashkëpunimi mes dy aeroporteve dhe vendosja e aviolinjave të reja, ishin tema e bisedave mes zëvendës kryetarit të Qeverisë dhe ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski dhe Jiri Pos, kryetar i Bordit të drejtorëve të aeroportit Vaclav Havel-Pragë, në takimin që u mbajt sot në Pragë.
Siç kumtuan nga Ministria e Transportit, zëvendës kryeministri Nikolloski potencoi se Qeveria maksimalisht është e përkushtuar në nxitjen dhe zhvillimin e trafikut ajror në vend dhe se po zbatohen politika të vendosjes së rrjetit të gjerë të linjave në Evropë dhe botë.
Ai në takim i prezantoi mundësitë dhe kushtet që ofron shteti për kompanitë e reja ajrore, të interesuara për operacione nga dy aeroportet vendase, duke theksuar se Qeveria po shqyrton çdo mundësi për bashkëpunim, duke i cekur kushtet për mbështetje financiare për vendosjen e linjave të reja.
“Në takim u hap edhe çështja e bashkëpunimit ndërmjet aeroportit të Pragës dhe aeroportit ndërkombëtar të Shkupit, si dhe mundësia e vendosjes së linjës së re ndërmjet Shkupit dhe Pragës, duke marrë parasysh marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe nevojën për komunikim më të ngushtë mes dy popujve", thuhet në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Nikolloski në takim i potencoi edhe potencialet e aeroportit të Ohrit dhe ofertën turistike që ofron rajoni Ohër-Strugë, si përparësi për vendosjen e linjës së re ajrore deri në Ohër. Gjithashtu u shqyrtua mundësia e vendosjes së linjës së re ajrore Ohër - Karlovi Vari.
Në kuadër të vizitës së tij në Pragë, zëvendëskryeministri Nikolloski sot ka takuar përfaqësuesit e kompanisë automobilistike “Shkoda” për të biseduar për bashkëpunimin e ardhshëm.
Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski është për vizitë pune në Republikën Çeke, ku po merr pjesë në seancën plenare të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës Çeke. bsh/
Foto: Ministria e Transportit