• петок, 15 мај 2026

Po punohet për një zgjidhje për të kufizuar vendet për kredi të shpejta pranë kazinove

Po punohet për një zgjidhje për të kufizuar vendet për kredi të shpejta pranë kazinove

Shkup, 13 maj 2026 (MIA) - Kryeministri Hristian Mickoski vlerëson se me Propozim-ligjin për lojërat e fatit dhe lojërave zbavitëse, të miratuara nga Qeveria, gjendja në vend do të përmirësohet në aspektin moral, ndërsa paralajmëron edhe një zgjidhje me të cilën do të kufizohet hapja e zyrave për kredi të shpejta pranë kazinove.  

Në pyetjen e gazetarëve Mickoski sot tha se Qeveria qëndron pas ligjit, duke theksuar se do të ndryshohet perceptimi për atë se kazinot janë industria kryesore në qytete.

"E kemi premtuar dhe e kemi hartuar këtë ligj me shumë kujdes, duke pasur parasyshë të gjitha parametrat që lidhen me këtë industri. Ekzistojnë standarde dhe politika të caktuara që i ndjek kjo Qeveri, ndërsa qytetet kanë filluar të ngjajnë me vende ku kazinot paraqiten si industria kryesore për shkak të reklamave dhe bilbordeve. Kjo nuk i ngjante asgjëje dhe nuk i ngjan asgjëje. Me këtë ligj do t'i jepet fund këtij perceptimi te qytetarët. Disi, pranë këtyre kazinove, si rregull, hapen zyra ku jepen kredi të shpejta, dhe hapi i radhës për të cilin do të punojmë është kjo", tha Mickoski, duke konfirmuar se po punohet për ta kufizuar këtë.

Sipas analizës tonë, sqaroi kryeministri, është konstatuar se një pjesë e madhe e njerëzve si arsye për largimin nga vendi përmendin edhe borxhet e akumuluara. 

"Vlerësoj se me këtë ligj, në kuptimin moral të fjalës, gjendja në vend do të përmirësohet në mënyrë drastike, kështu që qëndrojmë plotësisht pas këtij ligji dhe në mbrojtjen e tij", tha Mickoski, i cili mori pjesë në vënien në funksion të një pjese të rindërtuar në SPQ "8 Shtatori".

Me Propozim-ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, të miratuar dje në seancë qeveritare, parashikohet që të gjitha objektet ku organizohen lojëra fati në kazino, klube automatësh dhe lojëra elektronike fati të jenë të larguara të paktën 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme. Në bastoret që ndodhen brenda një rrezeje prej 500 metrash nga shkollat, nuk do të lejohet vendosja e terminaleve të videolotarisë elektronike dhe pajisjeve të tjera për lojëra elektronike fati. Me ligjin për herë të parë vendosen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit, ndalohet reklamimi jashtë ambienteve të biznesit nëse synon të nxisë qytetarët të marrin pjesë në lojëra fati, ndalohen mesazhet që e paraqesin lojën e fatit si rrugë drejt suksesit financiar, jetës më të mirë apo zgjidhje për probleme personale e sociale. Gjithashtu, ndalohet reklamimi përmes personave të njohur dhe përmbajtjeve të drejtuara ndaj të miturve.

Nga Qeveria informojnë se si pjesë e masave kundër lojërave të paligjshme të fatit onlajn deri tani janë mbyllur 358 plaftorma të huaja ilegale onlajn, të cilat kanë organizuar në mënyrë të paligjshme lojëra fati në territorin e shtetit, duke funksionuar pa licencë, pa kontroll dhe pa asnjë mbrojtje për qytetarët. qa/

Foto: MIA

Остани поврзан