• сабота, 18 април 2026

Pezeshkian e vlerësoi Pakistanin për ndërmjetësimin në armëpushim, bëri thirrje për unitet

Pezeshkian e vlerësoi Pakistanin për ndërmjetësimin në armëpushim, bëri thirrje për unitet

Teheran, 17 prill 2026 (MIA) - Presidenti iranian Masud Pezeshkian e vlerësoi rolin e Pakistanit në ndërmjetësimin e bisedimeve të fundit për armëpushim në konfliktin e Iranit me Shtetet e Bashkuara, duke i përshkruar përpjekjet e Islamabadit si "efektive dhe të përgjegjshme", me një mesazh se Irani mbetet i përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Gjatë takimit në Teheran me Komandantin e Ushtrisë pakistaneze Asim Munir, Pezeshkian shprehu mirënjohje për rolin e kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif në lehtësimin e armëpushimit, si dhe për përpjekjet diplomatike gjatë bisedimeve në Islamabad, publikoi "Iran Press TV".

Presidenti iranian theksoi se Teherani përpiqet për stabilitet dhe i konsideron të gjitha vendet islamike si vëllezër, duke bërë thirrje për forcimin e unitetit midis shteteve myslimane për të parandaluar konflikte të mëtejshme dhe ndërhyrje të jashtme në rajon.

Ai theksoi se Irani po ndërmerrë, siç tha, veprime mbrojtëse në vetëmbrojtje, por në të njëjtën kohë bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm.

Pezeshkian vlerësoi se vendet islamike mund të punojnë së bashku për mekanizmat e tyre të sigurisë dhe stabilitetin afatgjatë, duke e krahasuar këtë ide me modelet ekzistuese të bashkëpunimit rajonal në pjesë të tjera të botës.

Munir shprehu kënaqësi nga akimi dhe theksoi nevojën për bashkëpunim kolektiv në rindërtimin dhe stabilizimin e rajonit, duke deklaruar se, megjithëse lufta do të përfundojë, rendi rajonal do të ndryshojë në krahasim me situatën e mëparshme.

Të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe veprimit të përbashkët që synon paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. ls/

Foto: DPA

 

Остани поврзан