• петок, 22 ноември 2024

Perinski për MIA-n: Nëse vendimi për financimin e projekteve për komunat do të ishte politik, nuk do të kishin marrë edhe kryetarët e komunave nga partitë tjera

Perinski për MIA-n: Nëse vendimi për financimin e projekteve për komunat do të ishte politik, nuk do të kishin marrë edhe kryetarët e komunave nga partitë tjera

Shkup, 19 tetor 2024 (MIA) - Vendimi për ndarjen e fondeve për financimin e projekteve infrastrukturore në komunat nuk është politik. Ka komuna të kryesuara nga kryetarët e komunave nga LSDM-ja, e që morën mjete si për shembull Dellçeva, Berova, Kriva Pallanka... Nëse do të ishte politikë, ata nuk do të kishin marrë, shprehet ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski në intervistë për MIA-n. 

Ai nuk deshi të komentojë deklaratën e kryetares së Qytetit të Shkupit, e cila e quajti vendimin e tillë të Qeverisë një përballje me kundërshtarët. Shprehet se problemi në kryeqytet është sistemor dhe asnjë masë ndërhyrëse nuk mund t'i ndryshojë gjërat. Bën të ditur se në llogarinë e dedikuar të Qytetit të Shkupit qëndrojnë 650 milionë denarë, të cilat për më shumë se dy vjet nuk janë përdorur për asgjë, ndërsa janë të dedikuara për një zgjidhje bulevardi, e cila, sipas tij, bën të ditur në mungesën e kapacitetit. 

"Për fat të keq, dy ose tre vitet e fundit kemi problem sepse sistemi është plotësisht i deroguar. Asnjë masë ndërhyrjeje nuk mund ta ndryshojë këtë. Në thelb, duhet të propozohet zgjidhje sistemore për të gjitha problemet që janë grumbulluar në territorin e Qytetit të Shkupit. Përveç kësaj, 650 milion denarë qëndrojnë në llogarinë e dedikuar të Qytetit të Shkupit, të cilat për më shumë se dy vjet nuk janë përdorur për asgjë, dhe janë të dedikuara për një zgjidhje bulevardi brenda qytetit. Nga njëra anë, mungesa e kapaciteteve është e dukshme, e nga ana tjetër, nevojitet qasje sistemore për të zgjidhur problemet në të gjitha bazat - kemi problem me mbledhjen e plehrave, problem me borxhin e Qytetit të Shkupit, borxhin e ndërmarrjeve komunale, transportin publik... thekson Perinski.  

Për Komunën e Strumicës, projektet e së cilës së bashku me projektet e Qytetit të Shkupit, Sarajit dhe Tearcës nuk u pranuan, ministri Perinski sqaroi se kryetari Kostadin Kostadinov kishte aplikuar për projekt që tashmë ishte tenderuar dhe për të cilin kishin filluar aktivitetet ndërtimore. 

"E dëgjova deklaratën e kryetarit të Komunës së Strumicës. Më vjen keq që Kryetari i Komunës së Strumicës, edhe pse ishte i pranishëm në takimet që organizuam në Qeveri ku u prezantua se çfarë është e domosdoshme për të marrë këto mjete dhe u tha se nëse ka projekt më të madh, ai mund ta ndajë atë në faza dhe të aplikojë në mënyrë që të financohet nga buxheti qendror. Më vjen shumë keq sepse Komuna e Strumicës ka aplikuar për një projekt që tashmë është tenderuar dhe kanë filluar aktivitetet ndërtimore për ta zbatuar atë", thekson Perinski. 

Perinski zbulon se tërheqja e kryetarëve të komunave që nuk do të kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur nga qytetarët duhet të bëhet përmes referendumit. Tërheqja e kryetarit të komunës është një nga risitë që duhet të jetë pjesë e zgjidhjes ligjore për vetëqeverisjen lokale, që parashikohet të jetë gati deri në mars, dhe për të cilin deri atëherë do të hapet proces i gjerë konsultimi, duke përfshirë të gjithë palët e interesuara - ekspertët, kryetarët e komunave, kryetarët e këshillave, sektori civil.

"Në thelb, tërheqja e një kryetari të komunës në bazë të shembujve që diskutuam me ekipin e ekspertëve para fillimit të procesit, duhet të bëhet përmes referendumit nga ata që e sollën të njëjtin kryetar në pozicionin ku ai është. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të integrojmë të gjitha ndryshimet në përputhje me Kushtetutën në mënyrë që të mos kemi probleme dhe anomali në miratimin e të njëjtës zgjidhje ligjore. Pra, ne me të vërtetë do t'i kushtojmë vëmendje çdo momenti dhe kjo është arsyeja pse ne mendojmë se është më e përshtatshme që ky ndryshim ose kjo përshtatje e ligjit të kalojë përmes një referendumi nga qytetarët e asaj komune, në të cilën kjo mundësi duhet të lindë në të ardhmen”, shprehet Perinski.  

Dje u zhvillua takimi i parë fillestar me ekipin profesional, i cili në fazën e parë duhet të shohë dobësitë e zgjidhjes ligjore ekzistuese përmes një analize të detajuar.

Risi në ligjin duhet të jetë edhe policia komunale, për të cilën ministri thotë se do të kursejë mjete në buxhetet e komunave sepse sjellja devijante e individëve do të parandalohet dhe nuk do të ketë nevojë për burime financiare shtesë për rehabilitimin e pajisjeve të shkatërruara urbane. 

Financimi i komunave që e aplikon Qeveria aktuale, sipas Perinskit, është shumë i ndryshëm nga qasja e ka zbatuar ajo e mëparshme duke ndarë mjete për mbulimin e borxheve të komunave. 

"Kur ju jepni mjete për shlyerjen e borxheve, ju vetëm stimuloni mospunën dhe kjo rezultoi të ishte një shembull eklatant i qasjes së gabuar për zgjidhjen e problemeve, sepse komunat e njëjta që morën mjete për mbulimin e borxheve tani janë përsëri humbëse. Kjo Qeveri ka thënë se çdo komunë që është e gatshme të implementojë menjëherë do të marrë mjete. Paratë nuk do të jenë në ndonjë llogari të dedikuar, por do të jenë të dedikuara për ato komuna që mund ta zbatojnë atë menjëherë", shprehet Perinski.

Ai beson se komunat duhet të ndryshojnë mënyrën e hartimit të buxheteve dhe se ato duhet t'i përdorin buxhetet e tyre në mënyrë racionale. 

"Në Ligjin për financimin e njësive të qeverisjes lokale është parashikuar mekanizëm që nuk mund të rrisë më shumë se 10 për qind buxhetin e një vetëqeverisjeje lokale në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo bëhet për të parandaluar këto vrima, por kjo nuk mjafton. Komunat duhet të planifikojnë anën e tyre të të ardhurave më me zell në mënyrë që të jenë në gjendje të paguajnë plotësisht anën e shpenzimeve", shprehet Perinski. 

Është dakord që komunat duhet të jenë transparente dhe në këtë drejtim thekson se me USAID-in po punojnë për miratimin e kodi të transparencës që duhet të japë udhëzime se si komunat të jenë më të hapura për qytetarët.  

"Kryetarët e komunave duhet të kuptojnë se sa më transparente të jenë ndaj qytetarëve, aq më i lehtë do të jetë mandati i tyre sepse në fund të ditës, qytetarët votojnë për të zgjidhur problemet e tyre, dhe kryetarët e komunave premtojnë të zgjidhin problemet e tyre. Transparenca do të sjellë vetëm të mira për kryetarët e komunave, nuk mund të krijojë asnjë problem", thekson ministri Perinski. 

Duke komentuar paralajmërimet e katër komunave të Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit se do të financojnë punën e Shoqatës Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve, ai shprehet se nuk ka mundësi ligjore për një gjë të tillë.

"Në thelb, kjo përshkruhet rreptësishtë në Ligjin për vetëqeverisjen lokale në nenin 11, i cili thotë se të ardhurat e vetëqeverisjeve lokale duhet të shpenzohen ekskluzivisht në kompetencat e përcaktuara në përputhje me Ligjin, që do të thotë se Ligji dëshiron të thotë se të gjitha mjetet që komuna mbledh mbi çdo bazë shpërndahen përmes miratimit të vendimeve dhe buxheteve në seancë të Këshillit dhe duhet të orientohen vetëm në zbatimin dhe realizimin e kompetencave themelore ligjore të vetëqeverisjes lokale. Në këto juridiksione,  nuk qëndron Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve. Komuna ka mundësi të financojë shoqata dhe organizata joqeveritare, por edhe ato shoqata dhe organizata joqeveritare duhet të zbatojnë disi kompetencat themelore për të cilat ekziston vetëqeverisja lokale, që do të thotë se nëse ligji lexohet siç duhet, nuk ka mundësi ligjore për një gjë të tillë", sqaron Perinski. 

Nuk përjashton mundësinë e kandidimit për kryetar të Shkupit në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai thotë se nëse sondazhet tregojnë se ai është propozimi më i përshtatshëm dhe nëse partia qëndron plotësisht pas tij, ai do ta pranojë me kënaqësi kandidaturën. Ajo që është e rëndësishme për të është që procesi të jetë i hapur, transparent dhe i bazuar në të dhëna analitike. Nëse sondazhet tregojnë se dikush tjetër është më i përshtatshëm, ai thotë se do t'i japë atij mbështetje të plotë.

Në vijim është video intervista e plotë me ministrin Perinski:

Biljana Anastasova-Kostiq

Foto: Darko Popov 

Video dhe montazhi: Asllan Vishko dhe Vlladimir Rabasoviq

Остани поврзан