• петок, 31 јануари 2025

Për 5,03 për qind shtrejtohet ngrohja për një pjesë të amvisërive në qytetin e Shkupit

Për 5,03 për qind shtrejtohet ngrohja për një pjesë të amvisërive në qytetin e Shkupit

Shkup, 31 janar 2025 (MIA) – Energjia e ngrohjes për një pjesë të amvisërive në qytetin e Shkupit nga 1 shkurti do të shtrenjtohet për 5,03 për qind, informoi në konferencën e sotme për media kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimoski. 

Siç theksoi Bislimoski, shkak për shtrenjtimin është rritja e çmimit të gazit natyror në bursat botërore dhe prodhimtaria e ulur e TE-TO në tremujorin e fundit të vitit 2024 e cila në vend se 60 për qind ka marrë pjesë me 51,9 për qind në prodhimtarinë e energjisë së ngrohjes. Çmimi për prodhimtarinë e energjisë së ngrohjes i TE-TO është për 35 për qind më i ulët se sa çmimi në ngrohtoret, ndërsa TE-TO nuk ka punuar mjaftueshëm sepse çmimi i gazit natyror nuk i është përgjigjur për prodhimtarinë e rrymës si produkt primar. 

“Pas kërkesës së paraqitur nga EMV Shpërndarja e ngrohjes , EMV Prodhimtaria e ngrohjes dhe EMV Furnizimi me ngrohje, KRRE kreu një analizë të thelluar e cila tregoi se çmimi i gazit natyror në tremujorin e fundit të vitit të kaluar u rrit realisht në bursat botërore me 16 për qind. Në vendimin e korrikut, përllogaritja e çmimit të energjisë së ngrohjes është bërë me çmimin e parashikuar të gazit natyror prej 37 euro për megavat orë dhe tani njohim rritje prej 15 për qind për blerjen e gazit natyror prej 43 euro për megavat orë”, tha Bislimoski dhe shtoi se shpenzimi i EMV për blerjen e gazit natyror është 50 euro për megavat orë.

KRRE, siç tha, në llogaritjet e merr çmimin e gazit natyror në shtet dhe vlerëson se ai është 43 euro për megavat orë. Në bursat botërore, theksoi, edhe në janar edhe në shkurt të këtij viti ka trend të rritjes së çmimeve të gazit natyror, ndërsa sot çmimi i TTF është rreth 52 euro për megavat orë. 

“Rritja e faturave për një amvisëri mesatare në qytetin e Shkupit do të jetë 100 denarë për shfrytëzuesit e energjisë së ngrohjes që furnizohet përmes këtyre filialeve të SHA EMV. Deri më tani shpenzimet mujore për ngrohje ishin 2.100 denarë, ndërsa tani do të jenë 2.200 denarë”, tha Bislimoski.

Theksoi se KRRE gjatë javës së ardhshme do ta shqyrtojë dhe do të marrë vendim për kërkesën për çmim të EMV Energjetika të cilët furnizojnë rreth 2.000 shfrytëzues. Pritet që së shpejti edhe ngrohtorja në atë pjesë të qytetit Shkup Veri të parashtrojë kërkesë për rritje të çmimit të ngrohjes në atë pjesë të Shkupit. Vendimet e KRRE për çmimet e reja për këta shfrytëzues do të merren në shkurt dhe do të zbatohen nga 1 marsi i këtij viti. 

“Ne jemi duke monitoruar gjendjen në bursa dhe nëse ato vazhdojnë të rriten, një nga propozimet e KRRE-së për çmimin e energjisë së ngrohjes do të synojë shmangien e goditjeve të mëtejshme të çmimeve. Nga analizat që vazhdimisht i bëjmë, shpenzimet më të ulëta për energji të ngrohjes ende arrihen përmes sistemit të organizuar të ngrohjes që ekziston në qytetin e Shkupit, dhe nuk duhet harruar lehtësinë që ofron kjo metodë e ngrohjes”, theksoi Bislimoski në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve. 

KRRE vitin e kaluar më 29 shkurt solli vendim me të cilin për 35 për qind e uli çmimin e ngrohjes qendrore për të gjithë shfrytëzuesit afaristë në qytetin e Shkupit. Kjo, siç informoi atëherë Bislimoski, kishte të bënte me uljen e çmimit të gazit natyror në bursa. fc/

Foto/Video: MIA

 

Остани поврзан