Oferta e UT-së për vitin akademik 2026/2027 mirëpritet nga maturantët
- Ekipi i Fakultetit Filozofik të Universiteti i Tetovës, në periudhën 21–23 prill 2026, ka realizuar disa aktivitete promovuese në shkolla të mesme të vendit, duke organizuar punëtori me temë “Orientimi profesional për të rinjtë – rruga drejt përzgjedhjes së profesionit”.
Tetovë, 24 prill 2026 (MIA)- Ekipi i Fakultetit Filozofik të Universiteti i Tetovës, në periudhën 21–23 prill 2026, ka realizuar disa aktivitete promovuese në shkolla të mesme të vendit, duke organizuar punëtori me temë “Orientimi profesional për të rinjtë – rruga drejt përzgjedhjes së profesionit”.
Këto veprimtari u zhvilluan me qëllim të informimit dhe orientimit të maturantëve për regjistrim në vitin akademik 2026/2027. Në kuadër të punëtorive, ekipi prezantoi ofertën arsimore-shkencore të 13 fakulteteve të Universitetit të Tetovës për këtë vit akademik, duke ofruar një pasqyrë të plotë mbi programet studimore dhe perspektivat që ofrohen.
Punëtoritë u realizuan në disa institucione të arsimit të mesëm, përfshirë: SH.M. “Saraj”-Shkup, “Shkolla e Mesme Medicinale” - Gostivar, SH.M. “Pançe Karagjozov” - Shkup, SH.M. “Drita” - Kërçovë, SH.M. “Niko Nestor” - Strugë, SH.M. “Ibrahim Temo” - Strugë, SH.M. “28 Nëntori” - Dibër, SH.M. “Sami Frashëri” - Kumanovë, SH.M. “Ismet Jashari” - Kumanovë, SH.M. “Zef Lush Marku” - Shkup, SH.M. “7 Marsi” - Tetovë dhe SH.M. “MAARIF” - Tetovë.
Gjatë këtyre takimeve të drejtpërdrejta, maturantët e sipërthënë patën mundësinë të informohen më gjerësisht për drejtimet studimore, kriteret e pranimit, si dhe për mundësitë e zhvillimit profesional që ofron Universiteti i Tetovës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu sfidave dhe kërkesave të tregut të punës, duke i ndihmuar të rinjtë të krijojnë një pasqyrë më të qartë për të ardhmen e tyre.
Aktivitetet u mirëpritën nga nxënësit dhe stafi arsimor i shkollave pritëse, duke dëshmuar rëndësinë e orientimit të hershëm profesional si një hap kyç në ndërtimin e një karriere të suksesshme për të rinjtë.
Fakulteti Filozofik dhe njësitë e tjera akademike të Universitetit të Tetovës do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me organizimin e aktiviteteve informuese, me qëllim mbështetjen e të rinjve në rrugën e tyre drejt zhvillimit akademik dhe profesional, si dhe forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të mesëm dhe atij universitar.