Në Gjykatën Penale sot pritet të shpallet aktvendimi për Stojançe Jovanovskin për tragjedinë e 2 marsit
- Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të shpallet vendimi për Stojançe Jovanovski, i akuzuar për tre vepra penale – lëndim trupor si vazhdim i dhunës në familje, rrezikim i sigurisë dhe nxitje për vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje, të lidhura me tragjedinë e 2 marsit të këtij viti, kur bashkëshortja e tij Ivana Jovanovska dhe vajza gjashtëvjeçare Katja humbën jetën.
Shkup, 7 maj 2026 (MIA) - Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të shpallet aktvendimi për Stojançe Jovanovski, i akuzuar për tre vepra penale – lëndim trupor si vazhdim i dhunës në familje, rrezikim i sigurisë dhe nxitje për vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje, të lidhura me tragjedinë e 2 marsit të këtij viti, kur bashkëshortja e tij Ivana Jovanovska dhe vajza gjashtëvjeçare Katja humbën jetën.
Prokuroria, në fjalën përfundimtare, kërkoi dënimin maksimal për të pandehurin, duke vlerësuar se në procedurë është provuar një vazhdimësi e dhunës fizike, psikologjike dhe ekonomike ndaj Ivana Jovanovska, e cila, sipas aktakuzës, ka kulmuar me tragjedinë e 2 marsit të këtij viti. Mbrojtja, nga ana tjetër, kërkoi lirim nga akuzat me qëndrimin se Prokuroria nuk e ka treguar as pasojën dhe as shkakun për veprat penale që i vihen në barrë të pandehurit.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja publike Adela Bojçeviq theksoi se deklaratat e anëtarëve të familjes, ekspertiza psikiatrike, dokumentacioni mjekësor, incizimet audio dhe provat e tjera materiale japin një pasqyrë e qartë për keqtrajtim afatgjatë dhe se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për dhunë dhe kontroll të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarës.
Gjykimi kundër Jovanovskit filloi në fund të marsit. Gjatë procedurës së provave, gjykatës iu paraqitën regjistrime audio nga raportet e policisë dhe regjistrime video të cilat sipas Prokurorisë, regjistruan dhunë fizike dhe psikologjike ndaj Ivana Jovanovskës. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s