• петок, 13 март 2026

Një i punësuar në "Rubikon" dëshmoi për funksionimin e agjencisë për sigurim në gjykimin për "Puls"

Një i punësuar në

Shkup, 12 mars 2026 (MIA) – Në gjykimin e sotëm për rastin “Puls” dëshmoi Trajçe Dimishkovski, i cili ishte pjesë e agjencisë së sigurisë “Rubikon” nga viti 2023 deri në gusht 2025. Në dëshminë e tij, Dimishkovski përshkroi se si zhvillohej komunikimi midis të punësuarve, kush ishte përgjegjës për caktimin e orareve të njerëzve dhe çfarë udhëzimesh jepte profesori Aleksandar Nacev gjatë ngjarjeve të mëdha dhe leksioneve mbi detyrimet ligjore të rojeve të sigurisë.

Dimishkovski theksoi se në prill të vitit 2025, përveç detyrave të rregullta për sigurim, ka marrë edhe autorizime administrative. 

“Përveç punës së sigurisë, isha i autorizuar të nënshkruaja pagat dhe faturat”,  tha ai, duke shtuar se pagat i dorëzoheshin me para në dorë nga një zyrë kontabiliteti, ndërsa roli i tij ishte vetëm t'i nënshkruante ato dhe t'i dorëzonte në bankë.

Në lidhje me rolin e Alksandar Nacevit, dëshmitari deklaroi se ai ndonjëherë ishte paraqitur që të ndihmojë në koordinimin me njerëzit, veçanërisht gjatë ngjarjeve të mëdha. 

“Nuk e di se si rregullohej statusi i tij, ndonjëherë vinte për të ndihmuar në koordinimin e njerëzve, nuk e di saktësisht në çfarë cilësie. Më shpesh na jepte udhëzime për vendosjen e njerëzve”, tha ai.

I pyetur nëse e di ku ishin zyrat e Rubikonit, u përgjigj se ka pasur por nuk e di ku. 

“Zyra kishte, nuk jam i sigurt ku, unë nuk kam qenë në zyrë, më shpesh takohemi personalisht”, tha ai. 

Ai konfirmoi se Nacevi u jepte leksione edhe të punësuarve, duke u shpjeguar rregullat ligjore për praninë e të miturve në objekte pas orës 23:00. Sipas dëshmitarit, në rastet kur vëreheshin të mitur ose substanca të paligjshme, rojet e sigurisë ishin të detyruara të reagonin dhe t'i largonin ata nga objektet.

Dimishkovski theksoi se uniformat për sigurimin i ka marrë nga kolegu Jane Jançevski, i cili shumë shpesh ishte përgjegjës për orarin e njerëzve. Në mungesë të Jançevskit, udhëzime ndonjëherë kishte dhënë edhe Nacevi, i cili madje ndonjëherë është paraqitur si sigurim, edhe pse nuk kishte licencë për sigurim. 

Dëshmitari konfirmoi se komunikimi ndërmjet të punësuarve ishte zhvilluar edhe përmes grupeve në Viber, ndërsa Nacevi ishte pjesë e grupit për shkolla të mesme. Pas arrestimit të Jançevskit, Dimishkovski, siç tha, ka pasur kontakt me Nacevin. 

“Në atë periudhë kisha komunikim me profesorin Nacev, në përgjithësi komentoi se është tragjedi e madhe”, deklaroi ai. 

Në pyetjen e mbrojtjes së të akuzuarit Jane Jançevski, në lidhje me atë nëse angazhimi i tyre dallohej nga angazhimi i Nacevit, u përgjigj se përveç se në koordinim, në asgjë tjetër. 

I pyetur nëse nga ana e Jane Jançevskit nga ai ishte kërkuar të veproni në kundërshtim me autorizimet si pjesëtar i sigurimit, gjegjësisht në kundërshtim me ligjin, u përgjigj jo. 

“Jo, asnjëherë nuk është kërkuar të bëjmë diçka që është e kundërt”, tha ai. 

Dimishkovski ishte marrë në pyetje edhe në seancën e kaluar, por për shkak të kërkesës së mbrojtjes që të njoftohet me deklaratën e tij të dhënë në Prokurori ishte ndërprerë dhe vazhdoi sot. 

Në dëshminë atëherë sqaroi se shumë shpesh ka punuar në shkolla fillore, me patrulla dhe ndërrimin i dytë, me çka ka komunikuar me Jane Jançevskin për orarin. 

Pas ngjarjes kritike nga 16 marsi i vitit 2025, sipas tij, nuk ka pasur ndryshime në detyra, por në prill ka marrë autorizim që përmes notarit të nënshkruajë pagesa për paga. Për këtë, siç tha, ka kërkuar ndihmë nga profesori Aleksandar Nacev. 

“Njihemi një kohë të gjatë. Si profesor më shumë i njeh ligjet nga unë dhe për këtë nga ai kërkova vetëm ndihmë”, tha ai. 

Prokuroria atëherë reagoi se dëshmitari po jep deklaratë të ndryshme nga ajo e mëparshmja e dhënë në Prokurori. 

Më herët sot, dëshmoi një inspektor i DMSH nga departamenti rajonal në Vinicë, i cili dëshmoi se pas zjarrit në klubin “Puls” në Koçan, ekipi i inspektimit i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim përcaktoi mangësi serioze - mungesë të aparateve për fikjen e zjarrit, hidrant të zbrazët dhe një derë emergjence të mbyllur.

Inspektori dëshmoi se Komuna Koçan më shumë se një dekadë nuk ka pasur inspektor për mbrojtje dhe shpëtim, ndërsa për mbikëqyrje në komunë tjetër nevojitet urdhër me shkrim nga udhëheqësia. 

Gjykimin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska – Ilievska, ndërsa Prokurorinë e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorëve publikë. 

Gjykimi vazhdon më 17 mars me marrjen në pyetje të dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë. 

Më 16 mars 2025, gjatë një paraqitjeje të grupit DNK në diskotekën “Puls” në Koçan, shpërtheu zjarr, në të cilin humbën jetën 63 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. Në objekt e kishte numër shumë të madh të vizitorëve, përfshirë të mitur, dhe piroteknikët ishin hedhur pa leje. Objekti kishte funksionuar ilegalisht për më shumë se një dekadë, pa kushte minimale teknike, me rindërtime të kryera pa leje dhe pa një sistem mbrojtjeje nga zjarri.

Për fatkeqësinë akuzohen mbi 30 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Në mesin e tyre ka pronarë të lokaleve, menaxherë, inspektorë, ish kryetarë komunash, anëtarë të sigurimit dhe nëpunës shtetërorë. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан