• сабота, 16 мај 2026

Një delegacion i Kuvendit për vizitë studimore në Kroaci për këmbim të përvojave për eurointegrime

Një delegacion i Kuvendit për vizitë studimore në Kroaci për këmbim të përvojave për eurointegrime

Shkup, 16 prill 2026 (MIA) - Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga deputetët - anëtarët e Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Eurointegrime, si dhe përfaqësuesit e shërbimit parlamentar nga Sektori për Politikë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, e filloi ditën e parë të vizitës studimore në Republikën e Kroacisë, që do të zbatohet në periudhën nga 15 deri më 18 prill 2026.

Vizita po zhvillohet në kuadër të projektit "Mbështetja për integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut", të organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektesh (UNOPS), me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira nga procesi i integrimit evropian të Republikës së Kroacisë.

Siç thuhet në kumtesën e pres shërbimit të Kuvendit, gjatë ditës së parë, delegacioni zhvilloi brifing me ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kroacisë, gjatë të cilit u shqyrtuan marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve, si dhe mbështetja që Kroacia i jep rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Pas kësaj, u zhvillua takim pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, kushtuar temës "Zgjerimi i BE-së, gjeopolitika dhe angazhimi parlamentar: Reflektime nga Kroacia mbi Maqedoninë e Veriut". Delegacioni u takua me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Gërliq-Radman, dhe me sekretarin shtetëror në Ministri, Andreja Metelko-Zgombiq, në të cilin shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat aktuale në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, rolin e parlamenteve në këtë proces, si dhe rëndësinë e koordinimit midis institucioneve.

Si pjesë e agjendës, delegacioni u takua edhe me ish-zëvendëskryeministren e parë dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Vesna Pusiq, gjatë të cilit diskutuan lidershipin politik, rolin e parlamentit dhe ndërtimin e konsensusit publik në procesin e integrimit evropian. U theksua rëndësia e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe komunikimit transparent me publikun.

Në margjinat e vizitës studimore, deputeti Antonijo Milloshoski u takua me Marijana Petir, deputete e Parlamentit kroat dhe mike e vjetër e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në takim, së bashku me ambasadorin Gjurçevski, u diskutuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve, si dhe mundësitë për avancimin e tyre të mëtejshëm. Theks i veçantë u vu në thellimin e bashkëpunimit midis Parlamentit Kroat dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në procesin e integrimit evropian në rajon. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm parlamentar dhe shkëmbimit të përvojave, si një kontribut i rëndësishëm në përparimin e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Dita u mbyll me takim në Kabinetin e Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, ku u diskutua qasja strategjike e Kroacisë ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe koordinimi midis Qeverisë dhe Parlamentit në procesin e aderimit. Bashkëbiseduesit theksuan nevojën për bashkëpunim të fortë institucional dhe një vizion të qartë politik si faktorë vendimtarë për sukses.

"Bashkëbiseduesit kroatë ndanë përvojat e tyre nga procesi i aderimit, me theks të veçantë në reformat dhe konsensusin politik të nevojshëm për anëtarësim të suksesshëm. Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë theksuan se kjo vizitë është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe hap një fazë të re bashkëpunimi, e cila do të përfundohet me nënshkrimin e marrëveshjes ndërqeveritare për bashkëpunim strategjik, bazuar në vlerat evropiane, besimin dhe respektin e ndërsjellë", thuhet në kumtesë.

Gjatë të gjitha takimeve, u theksua gatishmëria e Republikës së Kroacisë për të vazhduar mbështetjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përmes ndarjes së ekspertizës dhe përvojave.

Në takime u shpreh kënaqësia e ndërsjellë për marrëdhëniet tradicionalisht miqësore dypalëshe, të shoqëruara me dialog intensiv politik dhe bashkëpunim konstruktiv që të dy vendet kanë kultivuar në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë gjatë 34 viteve të fundit.

Në takime u riafirmua mirënjohja për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për perspektivën evropiane, si dhe pikëpamja se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të vazhdojë me një dinamikë të shtuar. U shpreh gatishmëria për të përdorur përvojën e Kroacisë në procesin e aderimit në anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

Bashkëbiseduesit ranë dakord që koordinimi i shtuar si vende anëtare të NATO-s është përparësi kryesore e politikës së jashtme, si mekanizëm efikas për harmonizimin e qëndrimeve dhe rritjen e kontributit në sigurinë rajonale dhe euroatlantike. U konfirmua angazhimi i përbashkët ndaj vlerave dhe parimeve të Aleancës.

Vizita studimore do të vazhdojë në ditët në vijim me takime dhe sesione të reja tematike të dedikuara për aspektet e ndryshme të procesit të integrimit evropian. bsh/

Foto: Kuvendi i RMV-së

Остани поврзан