• петок, 13 март 2026

Nikolloski në Uashington: Po realizojmë cikël të madh investimesh prej disa miliardë eurosh në korridore - i zhvillojmë autostradat dhe hekurudhën

Nikolloski në Uashington: Po realizojmë cikël të madh investimesh prej disa miliardë eurosh në korridore - i zhvillojmë autostradat dhe hekurudhën

Uashington, 12 mars 2026 (MIA) - Po realizojmë një cikël të madh investimi prej disa miliardë eurosh në zhvillimin dhe modernizimin e korridoreve në Maqedoni. Po punojmë në ndërtimin dhe modernizimin e segmenteve të autostradave, po investojmë në ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë në Korridorin 10 dhe lidhje hekurudhore në Lindje, ndërsa me mbështetjen e Bankës Botërore po punojmë në modernizimin e kalimeve kufitare me Shqipërinë dhe Bullgarinë, theksoi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski në takimin ministror në Uashington, të organizuar nga Banka Botërore.

“Jemi me fat që dy korridoret pan-evropiane kryqëzohen në vendin tonë. Është Korridori 10 që lidh jugun e Evropës me veriun e Evropës dhe është korridori më i gjatë në Evropë. Korridori i dytë është Korridori 8 që shkon nga perëndimi në lindje, fillon në Shqipëri dhe përfundon në portin e Odesës në Ukrainë dhe tani konsiderohet korridori i dytë më i rëndësishëm i sigurisë për NATO-n. Po përpiqemi t'i zhvillojmë të dy korridoret. Kemi një cikël të madh investimesh prej disa miliardë eurosh që po zbatojmë në të dy korridoret, të cilat më pas hapin mundësi të reja për zhvillimin e biznesit përgjatë tyre”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Para të pranishmëve, ai i potencoi projektet kapitale që për momentin po realizohen në Maqedoni, theksohet në kumtesën e Ministrisë së Transportit. 

“Me partnerët dhe miqtë tanë nga Mbretëria e Bashkuar, po punojmë në ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë që duhet të funksionojë deri në 200 kilometra në orë për qarkullimin e udhëtarëve dhe 120 kilometra në orë për mallrat. Kemi nënshkruar marrëveshje me fqinjët tanë bullgarë për lidhje të përbashkët hekurudhore në Korridorin 8 dhe po e zhvillojmë këtë korridor me mbështetje financiare nga BE-ja dhe disa banka. Po bashkëpunojmë ngushtë me Bankën Botërore në projektin e rrugëve lokale, ku po ndërtojmë rrugë lokale në secilën komunë. Po punojmë gjithashtu në modernizimin e pikës kufitare më të madhe me Shqipërinë, pastaj pikës kufitare më të madhe me Bullgarinë në Korridorin 8. Po punojmë gjithashtu në një projekt me Doganën. Është një projekt për një sistem të ri me një ndalesë, i cili duhet të mundësojë që qarkullimi mallrave të jetë shumë më i shpejtë dhe shumë më efikas”, tha Nikolloski.

Në fjalimin e tij theksoi edhe se tashmë po punohet në projekt përmes të cilit duhet të lidhen Korridori 10 dhe Korridori 4 në Bullgari, ndërsa me këtë Maqedonia të lidhet drejt Turqisë dhe Lindjes së Mesme. Ai u falënderua për mbështetjen e Bankës Botërore edhe në pjesën e financave dhe në pjesën e ekspertizës që e mundëson për Maqedoninë. fc/

Foto: Ministra e Transportit 

 

Остани поврзан