Nenad Saveski propozohet për Prokuror të ri Publik të Shtetit
- Qeveria sot e propozoi gjyqtarin nga Gjykata Penale, Nenad Saveski për prokuror të ri shtetëror publik. Propozimi i Qeverisë duhet të votohet nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Prokurorit shtetëror nevojiten 61 vota.
Shkup, 10 mars 2026 (MIA) – Qeveria sot e propozoi gjyqtarin nga Gjykata Penale, Nenad Saveski për prokuror të ri shtetëror publik. Propozimi i Qeverisë duhet të votohet nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Prokurorit shtetëror nevojiten 61 vota.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, në konferencën e sotme për shtyp theksoi se Qeveria u udhëhoq nga parimet e profesionalizmit, integritetit, ekspertizës dhe përkushtimit të qëndrueshëm ndaj sundimit të ligjit.
"Nenad Saveski është gjykatës në Gjykatën Penale dhe gjatë karrierës së tij profesionale ka ndërtuar reputacion si jurist me përvojë shumëvjeçare, i njohur për ekspertizën e tij, integritetin profesional dhe përkushtimin ndaj parimeve të ligjshmërisë dhe drejtësisë.

Në kuadër të karrierës së tij shumëvjeçare dhe portofolit arsimor, Nenad Savevski është magjistër i shkencave juridike në fushën e së drejtës penale në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe ka kaluar Provimin e Jurisprudencës. Përvoja e tij profesionale është e gjerë, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Më parë ka qenë edhe prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike.
Më parë, nga viti 2009 deri në 2016, ka punuar si prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike, ndërsa nga 2004 deri në 2009 ka qenë bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore të Gostivarit.Në të njëjtën gjykatë, nga 2000 deri në 2002, ka punuar si praktikant gjyqësor.
Nga angazhimet eksperte dhe ato ndërkombëtare në biografinë e gjykatësit Saveski, përmendet se ai ka qenë ekspert në OSBE Maqedoni, ekspert në Konventën Kombëtare për BE – Kapitulli 23, si dhe ekspert në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE dhe USAID.
Ai është anëtar i grupeve pune për reforma gjyqësore dhe ligjore. Gjithashtu, ka punuar në projekte për masa të veçanta hetimore, paraburgim dhe procedurë penale.
Nga karriera akademike, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë, tutor dhe trajner kombëtar në programin HELP të Këshillit të Evropës dhe trajner për të drejtat e njeriut dhe të drejtën penale
Ai është autor dhe bashkautor i punimeve për: masat speciale hetimore, lirinë e shprehjes, shpifjen dhe fyerjen, konfiskimin e pronës, të drejtën e privatësisë, si dhe të disa udhëzuesve dhe botimeve profesionale.
Ai flet flet gjuhën maqedonase, angleze, gjermane, serbe dhe gjuhë bazë shqipe.
Gjatë diskutimit u theksua se zgjedhja e Prokurorit Publik të Shtetit është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme për kredibilitetin e gjithë sistemit të drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye procesi trajtohet me kujdes dhe përgjegjësi të veçantë, duke pasur parasysh nevojën për profesionalizimin dhe forcimin e pavarësisë së Prokurorisë Publike, si dhe për përmirësimin e mëtejshëm të efikasitetit në zbatimin e ligjeve.
Propozimin të cilin Qeveria i'a drejton Kuvendit bazohet në vlerësimet dhe mendimet profesionale të dorëzuara nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, si dhe bazuar në analizë të kujdesshme të integritetit profesional, përvojës dhe rezultateve të deritanishme të kandidatit. Në këtë drejtim u vlerësua se kandidati i propozuar posedon cilësitë e nevojshme profesionale dhe personale.
Qeveria konsideron se kandidati i propozuar do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e standardeve profesionale dhe rritjen e besimit të opinionit.
Me këtë vendim, Qeveria edhe një herë e konfirmon përkushtimin e saj të fortë për respektimin e procedurave institucionale, mbrojtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe mbështetjen e vazhdueshme të proceseve reformuese.

Pesë kandidatë janë paraqitur në konkursin e Kuvendit për prokuror publik – ushtruesja e tanishme e detyrës prokurore shtetërore publike, Anita Topollova – Isajllovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjykatësi nga Gjykata Penale, Nenad Savevski, ish kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.
Më 17 të muajit të kaluar, Këshilli i Prokurorëve Publikë dha mendim pozitiv për katër nga pesë kandidatët për prokuror publik shtetëror - prokuroren publike shtetërore në detyrë Anita Topolova-Isajlovska, prokuroren Lençe Ristovska, gjykatësin nga Gjykata Penale, Nenad Savevski dhe prokuroren nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq, ndërsa, në lidhje me kandidaturën e Vladimir Pançevskit, vendosi unanimisht se ai nuk i plotësonte kërkesat e përcaktuara me ligj në lidhje me stazhin e punës.
Përndryshe, në vendin e Lupço Kocevskit, i cili dha dorëheqje të parevokueshme në dhjetor të vitit të kaluar, erdhi prokurorja Topollova – Isajllovska si ushtruese detyre prokurore shtetërore publike, e cila ishte kandidate e vetme, por nuk mund të jetë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj.
Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat e pranuara i përcillen Qeverisë. Pas paraqitjes, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i detyruar të paraqesë mendime të arsyetuara brenda 15 ditëve. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjë nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të hartojë propozim dhe i propozon Parlamentit të publikojë konkurs të ri. Prokurori i ri publik shtetëror do të duhet të zgjidhet me 61 vota nga deputetët. ls/
Фото: ФБ Ненад Савески