Ndërron jetë akademiku Rexhep Qosja
- Akademiku Rexhep Qosja ka vdekur sot në moshën 89-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij.
Prishtinë, 23 prill 2026 (MIA)- Akademiku Rexhep Qosja ka vdekur sot në moshën 89-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij.
Familjarët kanë njoftuar po ashtu se ka përfunduar edhe ceremonia e varrimit, ndërsa kanë theksuar se me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizojnë pritje familjare e as nuk do të marrin pjesë as në ceremonitë institucionale.
Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti, akademik. Lindi në Vuthaj të Malit të Zi më 1936, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Vuthaj dhe në Guci.
Në Prishtinë e kreu Shkollën normale, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më 1967 filloi punë si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa më 1968-69 kreu studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.
Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Pas doktorimit u ngrit në bashkëpunëtor të lartë dhe më pas në këshilltar shkencor në këtë institut, si dhe u zgjodh profesor inordinar dhe më pas profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Në periudhën 1972-1981 ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik, pastaj shef disavjeçar i degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik, si dhe kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. Veprat e para i botoi nga fusha e kritikës.
Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Në mars të vitit 2025 Qosja u nderua me çmimin “Letërsia shqipe” nga Ministria e Kulturës, si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe, ndërsa në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.
Foto: Kosovapress