Ndahen 18 vendime pune në Shtëpinë e shëndetit në Gostivar
- Sipas drejtorit Vullnet Ollomani, ky hap paraqet një avancim të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve të institucionit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Gostivar, 5 maj 2026 (MIA)- Shtëpia e shëndetit në Gostivar ka rritur kapacitetet e saja me 18 profesionistë të rinj të cilëve dje iu ndanë vendime pune.
Sipas drejtorit Vullnet Ollomani, ky hap paraqet një avancim të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve të institucionit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Me kënaqësi të madhe ndava 18 vendime pune në Shtëpinë e shëndetit në Gostivar. Shtëpia e shëndetit po fuqizohet me profesionistë të rinj, të cilët vlerësohen këtu, në vendin e tyre”, deklaroi Ollomani.
Ai uroi punonjësit e rinj për angazhimin e tyre të ri profesional, duke theksuar rëndësinë e rolit që do të kenë në sistemin shëndetësor lokal.
“Të gjithë të punësuarve të rinj u uroj mirëseardhje dhe shumë suksese në punën e tyre fisnike dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët”, tha ai.
Sipas tij, drejtimi i institucionit do të vazhdojë me angazhimin për fuqizimin e mëtejmë të kapaciteteve njerëzore dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor.
“Do të vazhdojmë me përkushtim të forcojmë institucionet shëndetësore, duke hapur dyert për profesionistët tanë. Ndërtojmë bashkërisht një shëndetësi më funksionale dhe më dinjitoze”, ka thënë Ollomani.
Shtëpia e shëndetit në Gostivar ka gati 200 të punësuar të cilët përveç shërbimit të ambulancës, punojnë në fushat e shërbimit të patronazhit, vaksinimit, stomatologjisë për fëmijë dhe analizave laboratorike për personat e siguruar në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit.
Foto: MIA


