• сабота, 07 март 2026

Nënshkruhet Marrëveshja për ndërtimin e parkingjeve në kompleksin e klinikave "Nëna Tereza"

Nënshkruhet Marrëveshja për ndërtimin e parkingjeve në kompleksin e klinikave

Shkup, 7 mars 2026 (MIA) – Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Qyteti i Shkupit e nënshkruan Memorandumin për ndërtimin e parkingjeve në kuadër të Qendrës Klinike “Nëna Tereza”. Marrëveshja është për 15 vjet, me 10 për qind qira nga qarkullimi i përgjithshëm i realizuar. Në fazën e parë është paraparë ndërtim i dy parkingjeve montuese bashkëkohore, me të paktën 500 vende parkimi, të cilët priten në vendosen në funksion deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Parkingjet do të jenë, para së gjithash, të dedikuara për pacientët dhe të punësuarit në Qendrën Klinike. 

Siç njoftuan ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski para nënshkrimit të Marrëveshjes, nëse ka nevojë, do të ndërtohet edhe parkingu i tretë montues, ndërsa nëse konfirmohet se kapacitetet mundësojnë të parkohen edhe rezidentë privatë, do të mundësohet edhe opsion i tillë. 

Parkingjet do të kenë sistem të ri për evidencë dhe pagesë përmes të cilëve do të bëhet detektim i vendeve të lira dhe do të mundësohet qasje më e lehtë dhe më e shpejtë, ndërsa pacientët do t’i shfrytëzojnë me çmime të njëjta dhe me kushte preferenciale. 

Ky, theksuan Aliu dhe Gjorgjievski, është projekt kapital jo vetëm për Shkupin, por për gjithë Maqedoninë dhe me të do të zgjidhet kaosi i deritanishëm me dekada me parkimin në Qendrën Klinike. 

“Marrëveshja për dhënien me qira të pasurisë së paluajtshme me marrëveshje të drejtpërdrejtë me Qytetin e Shkupit parashikon organizimin, menaxhimin, rregullimin dhe mirëmbajtjen e parkingjeve në kompleksin e Qendrës Klinike ‘Nënë Tereza’. Qyteti i Shkupit është i detyruar të paraqesë plan veprimi për zbatimin e aktiviteteve me afate specifike për zbatim brenda 60 ditëve të ardhshme. Marrëveshja është për 15 vjet, me qira prej 10 për qind të qarkullimit të përgjithshëm, ndërsa Qyteti i Shkupit do të fillojë me projektimin dhe ndërtimin e garazheve shumëkatëshe dhe rregullimin e infrastrukturës. Projekti nënkupton modernizim dhe rritje të konsiderueshme të kapaciteteve të parkimit me rreth 50 për qind. Qiramarrësi është i detyruar t'i propozojë Këshillit të Qytetit të Shkupit listë çmimesh për parkim me bileta për përdoruesit për përdorim komercial të shërbimeve shëndetësore, për pacientët me sëmundje malinje dhe për ata të shtruar në Klinikë. Projekti do të sigurojë monitorim të plotë të parkimit dhe një udhëzues digjital për qytetarët, rregullim hortikulturor të hapësirës, ​​ sistem parkimi inteligjent me sensorë për zbulimin e vendeve të lira të parkimit, aplikacion celular, lidhje me sistem fiskal...,” theksoi ministri Aliu.

Sipas kryetarit Gjorgjievski, në vend të investitorit privat, parkingjet do t’i ndërtojë Qyteti i Shkupit që do të pamundësojë shtrenjtim të biletave dhe realizim të profitit në biznes. 

“Në të kaluarën, për parkingun në Klinikë ishin planifikuar qëllime të tjera, veçanërisht partneritet publik-privat (PPP), i cili do ta kishte lënë në plan të dytë interesin e qytetarëve sepse kur të ndodhë PPP-ja dhe të hyjë investitor privat, çmimet do të rriten. Kemi arritur zgjidhje solomonike. Në vend të një investitori privat, investitori do të jetë Qyteti i Shkupit. Javën tjetër, të enjten, do ta ribalancojmë Buxhetin dhe një nga pikat do të jenë parkingjet montuese, dy në fazën e parë me të paktën 500 vende parkimi për të filluar. Nëse rezulton se ka nevojë për më shumë, do të ndërtohet parking i tretë montues. Kjo do të jetë zgjidhje e përgjithshme për kaosin që ka mbretëruar me vite në Klinikë. Nëse përcaktohet se kapacitetet lejojnë që banorët privatë të parkojnë, ne do të ofrojmë edhe një mundësi të tillë, por fokusi do të jetë në përmbushjen e nevojave të pacientëve dhe të punësuarve në Klinikë. Planifikojmë që pas ribalancimit të shpallet procedurë tenderimi - projektim dhe ndërtim. Operatori që do ta marrë atë projekt do të duhet ta përfundojë atë brenda një afati që do ta përcaktojmë me Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk do të jetë projekt shumëdekadësh. Shpresoj që deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm dy parkingjet montuese do të vihen në funksion. Ato do të jenë ultramodern, me sistem të ri për evidentim dhe pagesë, do të kryhet zbulim i saktë i vendeve të lira, do të mundësohet qasje më e lehtë dhe më e shpejtë dhe do të parandalohen nervozat shtesë tek qytetarët”, nënvizoi Gjorgjievski. fc/

Foto: MIA

 

 

  

Остани поврзан