Mucunski nesër për vizitë pune në Republikën e Kroacisë
- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Zagreb, në kuadër të së cilës është planifikuar takim me homologun e tij kroat.
Shkup, 29 prill 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Zagreb, në kuadër të së cilës është planifikuar takim me homologun e tij kroat.
Në takim, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, dy ministrat do të diskutojnë për situatën aktuale politike në të dyja vendet, marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin sektorial, si dhe për iniciativën për përmirësimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Theks i veçantë do të vihet në nënshkrimin e ardhshëm të Marrëveshjes për partneritet strategjik midis dy vendeve, si dhe në bashkëpunimin ekonomik dhe mënyrat për thellimin e tij, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e energjisë, shëndetësisë, kulturës dhe turizmit.
Në fokus të bisedimeve do të jetë edhe progresi i procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe perspektivat për dinamizimin e tij, si dhe gatishmëria për të përdorur përvojën kroate në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Ministrat do të shkëmbejnë opinione edhe për bashkëpunimin aleat në suaza të NATO-s, si dhe për temat relevante globale, zhvillimet rajonale dhe implikimet e tyre për situatën e përgjithshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Si pjesë e vizitës së punës në Zagreb, ministri Mucunski do të marrë pjesë në Forumin IDU të organizuar nga ana e Unionit Ndërkombëtar i Demokracisë ((International Democracy Union – IDU), ku do të flasë mbi temën "Kufiri i harruar: Ballkani Perëndimor dhe premtimi i paplotësuar i Evropës". mb/
Foto: MIA