• сабота, 14 март 2026

Mucunski: Deri në fund të kësaj jave presim të evakuohen të gjithë shtetasit e RMV-së, që kërkuan evakuim nga Lindja e Afërt

Mucunski: Deri në fund të kësaj jave presim të evakuohen të gjithë shtetasit e RMV-së, që kërkuan evakuim nga Lindja e Afërt

Shkup, 9 mars 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski informoi sot se është në vijim një proces i koordinuar i evakuimit të qytetarëve të RMV-së nga disa vende në Lindjen e Afërt, i cili, siç tha, pritet të finalizohet deri në fund të kësaj jave.

Në konferencë për shtyp në Qeveri, Mucunski theksoi se që nga momenti i parë i përshkallëzimit të krizës së sigurisë, u krijua një mekanizëm krize përmes Ministrisë dhe përfaqësive diplomatike-konsullore.

"Që nga momenti i parë i përshkallëzimit të krizës së sigurisë në Lindjen e Afërt, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme krijuan një mekanizëm të përhershëm për krizat. Përmes formimit të një shtabi krize dhe përfaqësive diplomatike-konsullore, ishim në komunikim 24-orësh me qytetarët e RMV-së që ndodhen në zonat e prekura, me një qëllim të qartë – evakuimin e tyre të sigurt, në kohë dhe të organizuar", tha Mucunski.

Ai shtoi se ky është operacioni i tretë kompleks i kësaj shkalle në 12 muajt e fundit.

"Në 12 muajt e fundit, ky është operacioni i tretë kompleks i kësaj shkalle, pas tragjedisë së zjarrit në Koçan dhe përshkallëzimit të parë të konfliktit Izrael-Iran. Kjo edhe një herë konfirmon gatishmërinë dhe kapacitetin institucional të shtetit për të reaguar shpejt, në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme në situata krize", theksoi ministri.

Mucunski informoi se nga Izraelit tashmë janë evakuuar të gjithë njerëzit që shprehën gatishmërinë për t'u larguar nga vendi me rrugë tokësore.

"Gjashtë persona u evakuuan me aeroplanin qeveritar nëpërmjet Sharm el-Sheik, ndërsa për gjashtë persona të tjerë, përfaqësitë diplomatike-konsullore në Tel Aviv dhe Kajro ndihmuan në organizimin e kthimit të tyre me fluturime komerciale. Ka mbetur edhe një person, evakuimi i të cilit do të kryhet sapo të krijohen kushte të sigurta për të",tha Mucunski.

Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, siç kumtoi, dje u realizua një fluturim me 151 pasagjerë, përfshirë shtetas të huaj nga disa vende. "Aktualisht, në këtë vend janë regjistruar rreth 430 shtetas të RMV-së, ndërsa këtë javë janë planifikuar edhe dy fluturime nga Dubai",tha Mucunski, duke theksuar se 14 persona të regjistruar nuk u paraqitën në aeroport, pas së cilës u kontaktuan qytetarë të tjerë me qëllim që të shfrytëzohej plotësisht kapaciteti i fluturimit.

Në Doha, shtoi, janë regjistruar 162 persona, nga të cilët 89 kanë shprehur gatishmëri për evakuim, ndërsa në Kuvajt janë paraqitur 36 persona, në Bahrein 15 dhe në Arabinë Saudite pesë persona. 

"Për ta është planifikuar transport i organizuar për në Riad si pikë qendrore grumbullimi, pasi këtë javë do të vijë një fluturim direkt. I gjithë procesi po zbatohet në përputhje me një plan operativ të zhvilluar tashmë në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet kompetente", tha Mucunski.

Lidhur me evakuimin e futbollistit Martin Ashkovski nga Irani, ministri informoi se procesi ishte veçanërisht kompleks për sa i përket kalimit të kufirit me Turqinë.

"Aspekti më kompleks i nxjerrjes së Ashkovskit ishte momenti i kalimit të kufirit nga pala iraniane në anën turke. Sipas informacionit tim, kjo procedurë zgjati disa orë, por Ambasada jonë në Ankara e përfundoi me sukses detyrën dhe ai kaloi i sigurt në territorin e Republikës së Turqisë", theksoi Mucunski.

Ministri u bëri thirrje qytetarëve që kërkojnë evakuim të komunikojnë në kohë me përfaqësitë diplomatike-konsullore dhe informoi se evakuimi po kryhet pa kompensim financiar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

"Qëllimi ynë është që të gjithë aeroplanët të mbushen në kapacitetin e tyre maksimal. Dje në aeroportin e Dubait, 14 persona që kërkuan evakuim deri në minutën e fundit vendosën të mos paraqiteshin. Prandaj, u bëj thirrje qytetarëve tanë: të gjithë ata që kërkojnë evakuim dhe që nuk na kanë kontaktuar deri më tani, të kontaktojnë përfaqësitë tona diplomatike-konsullore sa më shpejt të jetë e mundur", apelon Mucunski.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu keqardhje për, siç tha, përhapjen e informacioneve paverifikuara në disa media në lidhje me procesin e evakuimit dhe aspektet e sigurisë së krizës.

"Në rrethana të tilla, informacioni i saktë dhe i përgjegjshëm është kyç. Përhapja e lajmeve të rreme krijon panik të panevojshëm, minon besimin në institucionet që punojnë ditë e natë për sigurinë e qytetarëve dhe gjithashtu mund të dëmtojë edhe reputacionin ndërkombëtar të vendit - vlerësoi Mucunski. ls/

Foto: printskrin

 

Остани поврзан