• петок, 15 мај 2026

MMJPH: Ligji i ri për natyrë është publikuar në ENER, paralajmërohen ekipe ndërhyrëse dhe strehimore për kafshë të egra

MMJPH: Ligji i ri për natyrë është publikuar në ENER, paralajmërohen ekipe ndërhyrëse dhe strehimore për kafshë të egra

Shkup, 13 maj 2026 (MIA) - Ligji i ri për natyrën është publikuar tashmë në Regjistrin e Vetëm Elektronik Kombëtar (ENER) dhe është i hapur për komente publike, njoftoi sot ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha. Në brifingun me gazetarët, ai informoi se ligji parashikon vendosjen e ekipeve të ndërhyrjes për kafshët e egra dhe krijimin e një strehimoreje, si pjesë e masave më të gjera për të promovuar mbrojtjen e natyrës.

Ministri Hoxha theksoi se kjo zgjidhje ligjore ka për qëllim qasje sistematike drejt mbrojtjes së burimeve natyrore. 

“Miratimi i këtij ligji synon forcimin e sistemit të mbrojtjes së natyrës, përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore, harmonizimin me direktivat evropiane dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të shtetit në fushën e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore”, deklaroi Hoxha.

Ai theksoi se ligji mbetet i hapur për publik, ndërsa në periudhën e ardhshme do të mbahen të paktën dy debate publike. 

Një risi kyçe në zgjidhjen ligjore është vendosja e ekipeve të ndërhyrjes për kafshë të egra që do të veprojnë në situata kur kafshët shfaqen në zona të banuara ose në kushte rreziku të shtuar. Udhëheqësi i Sektorit të Natyrës, Vllatko Trpevski, shpjegoi se këto janë ekipe multidisiplinare qëllimi kryesor i të cilave është reagimi në kohë dhe zgjidhja e problemeve në terren.

"Qëllimi kryesor i këtyre ekipeve të ndërhyrjes është të merren me situata të shfaqjes së kafshëve të egra në zona të banuara, përkatësisht në zona me kontakt të shtuar me njerëzit, gjë që kërkon reagim të shpejtë nga ekipet e ndërhyrjes dhe zgjidhje efikase të problemeve që lindin në terren", tha ai.

Sipas tij, veprimi do të bëhet sipas protokolleve të konfirmuara të cilat do të sigurojnë trajtim human të kafshëve. 

“Protokollet për këto ekipe ndërhyrjeje do të parashikojnë trajtim human të kafshëve. Para së gjithash, sipas vlerësimeve të ekspertëve që do të jenë pjesë e këtyre ekipeve ndërhyrjeje, vendimet do të merren në vend se si të veprohet me kafshën e lënduar që do të gjendet”, deklaroi Trpevski.

Si pjesë e sistemit, është paraparë edhe formimi i strehimores, për të cilën, sipas tij, tashmë po shqyrtohen hapa konkretë. 

“Për strehimoren do të gjendet një vend në bashkëpunim me Fakultetin e Veterinarisë, dhe do të nevojiten rreth 300 mijë euro për aktivitetet themelore”, shtoi Trpevski.

Ligji përfshin edhe një varg mekanizmash të tjerë, në mesin e të cilëve plane veprimi për vendbanim, harmonizimi me direktivat evropiane për vendbanime dhe zogj, kategoria e re gjeopark, mbikëqyrje e fuqishme e rojeve të pyjeve dhe digjitalizim i lejeve. 

Në brifing u diskutuan edhe tema të tjera aktuale nga ky dikaster. U informua se Ligji për Belçisko Blato tashmë ka kaluar fazën e debatit publik dhe është në procedurë qeveritare, ku priten mendime nga institucionet kompetente para se t'i dorëzohet Kuvendit. U njoftua se edhe Ligji për shtigjet malore së shpejti do të hyjë në procedurë qeveritare, me ç'rast MMJPH të marrë përsipër përgjegjësitë për këtë ligj që deri më tani i kishte Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit në Maqedoni.

Nga Ministria njoftuan se regjistri i ndotësve pritet të vihet në funksion së shpejti, si dhe se dialogu me sektorin joqeveritar është intensifikuar. Në të njëjtën kohë, është njoftuar takim me industrinë, pra me kompanitë që kanë leje të integruara A, në pritje të zbatimit të Ligjit të ri për Kontrollin e Emetimeve, i cili pritet të hyjë në fuqi në shtator 2027.

Në pjesën e problemeve ekologjike aktuale, ishte theksuar se në mesin e prioriteteve është zgjidhja e problemit me mbeturinat e rrezikshme në Jegunoc, i cili përfaqëson rrezik edhe për sistemin e furnizimit me ujë Rashçe. Siç njoftoi ministri, procedura ka filluar dhe po shqyrtohen zgjidhjet nga studimi i përgatitur, pas çka do të kërkohen mjete për realizim. 

Duke folur për menaxhimin me mbeturinat, nga ministria e këtij dikasteri informuan se projekti për qendër rajonale në Shën Nikollë, i financuar nga mjete nga Bashkimi Evropian, është në fazën e vlerësimit të tenderit, për të cilin pritet të përfundojë në qershor. Potencuan se nuk ka rrezik nga humbja e mjeteve. 

Njëherësh, ishte theksuar se në një pjesë të komunave nga rajoni Verilindor, si Likova dhe Haraçina, mbeturinat deponohen në lokacione jo standarde, që për momentin është në kompetencë të autoriteteve lokale, deri në vendosjen e sistemit rajonal për menaxhim me mbeturina. fc/

Foto: MIA

Остани поврзан