Ministri Aliu në Dibër e shënoi fillimin e pilot - projektit për telemjekësi në fushën e dermatovenerologjisë
- Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot e vizitoi Spitalin e përgjithshëm të Dibrës me veprimtari të zgjeruar, prej ku e shënoi fillimin e pilot-projektit për telemjekësi në fushën e dermatovenerologjisë.
Dibër, 17 prill 2026 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot e vizitoi Spitalin e përgjithshëm të Dibrës me veprimtari të zgjeruar, prej ku e shënoi fillimin e pilot-projektit për telemjekësi në fushën e dermatovenerologjisë.
Ai ishte edhe "pacienti" i parë, ndërsa siç theksoi, një ngjarje e këtillë sot po ndodhë edhe në Dellçevë, të cilët sot janë zgjedhur si pilot-projekte për shkak të distancës nga qytetet më të mëdha, por edhe mungesës së specialistëve nga kjo degë e mjekësisë.

"Dibra si qytet i rëndësishëm personalisht për mua, për Ministrinë dhe për Qeverinë tonë është zgjedhur për dy arsye, së pari, kemi mungesë të ekspertëve dermatologë në Dibër duke pasur parasysh se ndryshimet dermatologjike janë në rritje në vend dhe më gjerë, dhe së dyti, distanca që ekziston mes shëndetësisë terciare në Shkup dhe shëndetësisë sekondare në Dibër. Konsiderojmë se ky hap dhe ky pilot-projekt, për fatin tonë, tashmë po rezulton pozitivisht", tha Aliu.
Faza e ardhshme tremujore, do të jetë akreditimi i institucioneve për telemjekësi, që do të thotë se institucioni i parë i akredituar do të jetë spitali i Dibrës dhe certifikimi i të gjithë mjekëve dhe infermiereve që do të merren me telemjekësi.
Paralajmëroi se nga java e ardhshme në Dibër çdo të martë do të ketë teledermatologji dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të lajmërohen në kabinet nëse kanë nevojë për kontroll dermatologjik.

Nga fillimi i këtij pilot-projekti shprehi kënaqësi edhe drejtori Mersim Koleci.
"Jam i bindur se në të ardhmen e afërt mungesa e kuadrit që e kemi në disa specializime do të mund ta zgjerojmë me këtë projekt të telemjekësisë, me qëllim që pacientët të mund të marrin sa më shumë shërbime shëndetësore në Dibër dhe të mos udhëtojnë në qytete të tjera", tha Koleci.
Kryetari i komunës së Dibrës, Fisnik Mele vlerësoi se ky është hap i madh për Dibrën, duke e pasur parasysh largësinë nga klinikat.
"Ky është një hap shumë i rëndësishëm, duke filluar nga pilot-projekti për dermatovenerologjinë. Falënderim i madh për ministrin Aliu që e zgjodhi Dibrën. Shpresoj se do të jetë lehtësim për të gjithë qytetarët e Dibrës dhe më gjerë", tha ai.
Spitali i përgjithshëm ofron shërbime shëndetësore për qytetarët e komunave Dibër, Qendra Zhupë dhe sipas nevojës për ata nga rajoni i Rekës dhe Komuna Mavrovë-Rostushë. ab/
Fotо: МIА