• сабота, 16 мај 2026

Mickoski: Qeveria zbaton masa mbështetëse prej tre muajsh, rezultati është karburant më i lirë në rajon

Mickoski: Qeveria zbaton masa mbështetëse prej tre muajsh, rezultati është karburant më i lirë në rajon

Shkup, 5 maj 2026 (MIA) - Kryeministri Hristian Mickoski tha se me kujdes është duke u ndjekur situata me lëvizjen e çmimeve të karburanteve në bursat botërore, në përputhje me zhvillimet e konfliktit në Lindjen e Mesme, dhe theksoi se mbi bazën e këtyre parametrave do të përcaktohen hapat e ardhshëm të Q everisë, e cila tashmë prej tre muajsh po zbaton masa mbështetëse.

"Dje është goditur një tanker në ngushticë, gjë që shkaktoi rritje të çmimit të karburanteve në bursat botërore. Është goditur rafineria dhe porti në Fuxheira, që është praktikisht ai emirat që ndodhet poshtë ngushticës, nga ku mund të anashkalohet ajo dhe të vazhdohet furnizimi me naftë dhe derivate nafte. E gjithë kjo ka kontribuar në rritjen e çmimeve në bursa dhe në një moment Brent arriti 114–115 dollarë për fuçi. Po e ndjekim me vëmendje situatën dhe në bazë të këtyre parametrave vazhdojmë të veprojmë", deklaroi Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, pas vendosjes së gurthemelit për zgjerimin e SHFK "Goce Dellçev" në Komunën e Aerodromit.

Mickoski theksoi se Qeveria po zbaton masa mbështetëse për shkak të krizës në Lindjen e Mesme tashmë prej tre muajsh dhe se, si rezultat i tyre, në vend çmimet e karburanteve janë më të ulëtat në krahasim me rajonin.

"Kemi ulje të akcizave, ulje të TVSH-së për benzinat, gjë që i ka kushtuar mjaft buxhetit në këto rreth 60-të ditë. Por kështu është situata. Rezultati i gjithë kësaj është karburanti më i lirë në rajon. Dhe ajo që ne po bëjmë është të përpiqemi me të gjitha masat që kemi në dispozicion të mbrojmë standardin e qytetarëve", tha Mickoski.

Sipas tij, qeveria aktuale, me masat që po ndërmerr, po përballet dukshëm më mirë krahasuar me qeverinë e mëparshme.

"Kriza është globale, kohët janë të vështira, por nëse bëhet krahasimi, këto masa që po i ndërmerr kjo Qeveri, e cila sipas Fondi Monetar Ndërkombëtar për sa i përket përqindjes së PBB-së është e treta në Evropë, dhe ato të vitit 2022, situata është dukshëm më e mirë. Atëherë kishim inflacion dyshifror, ndërsa tani, sipas të gjitha autoriteteve në këtë fushë, bëhet fjalë për një krizë që për nga përmasa dhe shtrirja është më e madhe se dy krizat energjetike të viteve të 70-ta dhe kriza energjetike e vitit 2022 së bashku", tha Mickoski. qa/

Foto: Printskrin

Остани поврзан