Mickoski: Për projekte kapitale 3,3 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme, projektet do t'i miratojë Komiteti për Investime Publike
- – Mundësi për realizim të investimeve publike prej 3,3 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme është prezantuar sot në mbledhjen e Komitetit për Investime Publike. Ky trup i ri i formuar në bazë të metodologjisë do t’i miratojë projektet kapitale të cilat do të jenë në listën përfundimtare dhe do ta ndjekë realizimin e tyre.
Shkup, 29 prill 2026 (MIA) – Mundësi për realizim të investimeve publike prej 3,3 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme është prezantuar sot në mbledhjen e Komitetit për Investime Publike. Ky trup i ri i formuar në bazë të metodologjisë do t’i miratojë projektet kapitale të cilat do të jenë në listën përfundimtare dhe do ta ndjekë realizimin e tyre.
Kryeministri Hristijan Mickoski, pas mbledhjes së Komitetit, theksoi se fillon praktikë e re me mjet për ndjekje të realizimit të investimeve të mëdha publike.
“Vlera e përgjithshme aktualisht është 3,3 miliardë euro për pesë vitet e ardhshme. Kjo është një shifër serioze, shumica e të cilave janë projekte që lidhen me ndërtimin, mbi 600 milionë euro në vit. Do të duhet të organizohemi dhe të mobilizohemi që të jemi në gjendje t'i realizojmë këto projekte. Si qeveri, do të bëjmë gjithçka për të siguruar financim, dhe pjesa e realizimit që duhet të rrisë PBB-në nuk varet vetëm nga qeveria, por edhe nga menaxhimi i projekteve të kontraktorëve”, tha Mickoski.
Siç sqaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, do të ketë mënyrë të re të vendosjes për projektet kapitale me vlerë prej mbi pesë milionë euro, me çka, theksoi, në mënyrë transparente dhe më të organizuar do të miratohen vendime për projektet dhe në mënyrë më të thjeshtë do të planifikohen buxhetet.
“Do të flasim për ide të propozuara që do të jenë në listën përfundimtare. Nuk po flasim për projekte për të cilat tashmë janë siguruar mjete, por për projekte për të cilat Komiteti, i cili përbëhet nga të gjitha ministritë në Qeveri, do të marrë vendime nëse ato janë të rëndësishme, prioritare dhe nëse duhet të zbatohen në periudhën e ardhshme. Sigurisht, në përputhje me mundësitë në buxhet, kjo do të jetë edhe rasti për marrjen e vendimeve për fillimin dhe zbatimin e tyre”, tha Dimitrieska-Koçoska.
Kryeministri në fjalimin në mbledhje të Komitetit sqaroi se lista e ideve të projektit, e cila shqyrtohet është rezultat i qasjes së koordinuar të shumë institucioneve dhe përfaqëson bazë të fuqishme për zhvillim në sektorët kyçë.
“Në transport, po flasim për hekurudha moderne, lokomotiva të reja elektrike, rindërtim të seksioneve dhe lidhje përmes korridoreve 8 dhe 10. Kjo do të thotë rrjedhë më e shpejtë e mallrave, lidhje më e mirë dhe ekonomi më e fortë. Në arsim, vazhdojmë me investimet në infrastrukturën e dijes, me përfundimin e objekteve të FINKI-t dhe Fakultetit të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit, Universitetit ‘Nënë Tereza’. Sepse e ardhmja nuk mund të ndërtohet pa sistem të fortë arsimor. Në kujdesin shëndetësor, investimet në spitalet klinike rajonale në Tetovë, Shtip, Kërçovë do të thotë kujdes shëndetësor më i mirë, kushte moderne dhe trajtim dinjitoz për çdo qytetar”, theksoi Mickoski.
Në transformimin digjital, shtoi ai, po hedhim themelet e një shteti modern duke krijuar një qendër të dhënash qeveritare, një rrjet të sigurt dhe siguri kibernetike të forcuar. Kjo është baza për një administratë efikase, transparente dhe digjitale. Në bujqësi dhe menaxhim të ujërave, investimet në sisteme të tilla si Zletovicë, Strezhevë dhe rivitalizimi i burimeve ujore janë investime në stabilitetin e prodhimit dhe sigurinë ushqimore. Në energji, përmes projekteve të SHA EMV, po forcojmë pavarësinë energjetike me kapacitete të reja, burime të rinovueshme të energjisë, sisteme baterish dhe modernizim të infrastrukturës ekzistuese. Kjo është luftë për energji të sigurt dhe të përballueshme për qytetarët dhe ekonominë.
I formuar në bazë të Ligjit për buxhetet, Komiteti për Investime Publike punon në përputhje me dekretin për menaxhim me investime publike. fc/
Foto: MIA