• сабота, 16 мај 2026

Mickoski: Projekti në Vranishtë thyen stereotipin se politikanët mendojnë vetëm për veten e tyre, e jo për qytetarët

Mickoski: Projekti në Vranishtë thyen stereotipin se politikanët mendojnë vetëm për veten e tyre, e jo për qytetarët

Shkup, 9 prill 2026 (MIA) - Pas shumë vitesh premtime, sot fillon realizimi i projektit për ndërtimin e sistemit të ujërave të zeza në fshatin Vranishtë të Strugës. Projekti, për të cilin sot u vendos gurthemeli, po realizohet me mbështetje financiare nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ky është projekti i pestë që po zbatohet në komunën e Strugës, ndërsa gjatë këtij muaji, sipas paralajmërimeve, do të zbatohen edhe tre projekte të tjera.

"Po vendosim gurthemelin e një projekti që është pritur me vite. Projekti është i pesti që zbatohet në Strugë, ndërsa gjatë këtij muaji do të realizohen edhe tre, kështu që vlera totale e të tetë projekteve është rreth nëntë milionë euro", informoi kryetari i komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili mori pjesë në vendosjen e gurthemelit së bashku me kryetarin e komunës Qyra, vlerësoi se ky projekt dhe një sërë të tjerësh që po zbatohen në të gjithë vendin po thyejnë stereotipin e së kaluarës se të gjithë politikanët janë të njëjtë dhe kujdesen vetëm për veten e tyre, jo për qytetarët.

"Vlerësoj se me punën tonë, të përkushtuar dhe të fokusuar, natyrisht brenda mundësive dhe burimeve tona, atë që mundemi ta bëjmë e bëjmë ekskluzivisht në interes të qytetarëve. Këtë e kam thënë shumë herë në të kaluarën dhe do ta përsëris edhe tani, mrekullitë nuk janë të mundshme, të gjithë ata që premtojnë mrekulli nuk e thonë të vërtetën, ne nuk jemi mrekullibërës, por do të japim gjithçka nga vetja, në zhargon sportiv do të thoja, do ta lëmë zemrën në fushë që qytetarët të kenë një jetë më cilësore dhe të përmirësojmë jetën e tyre, ky është frymëzimi ynë dhe për këtë jemi maksimalisht të përkushtuar", tha Mickoski. 

Ai theksoi se me politikat e Qeverisë, Struga është e njohur dhe Struga do të jetë një nga prioritetet tona kryesore në vitet që vijnë.

"Faleminderit të gjithëve që e mbështesin punën e kryetarit të komunës, faleminderit administratës që ndihmon që e gjithë kjo të operacionalizohet dhe të funksionojë, dhe falënderimi më i madh shkon për qytetarët e Strugës që kanë durim dhe besojnë se kjo Qeveri mund të bëjë më shumë për ta dhe familjet e tyre, ndërsa ne si Qeveri japim fjalën se do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të realizuar gjithçka që kemi premtuar dhe nuk do të ndalemi këtu,  do të përpiqemi të realizojmë edhe më shumë projekte, për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Komunës së Strugës", tha Mickoski. ls/ 

Foto: Qeveri 

 

Остани поврзан