Mickoski: Profesorët do të duhet të shkruajnë edhe punime shkencore, ata që e kritikojnë ligjin kanë frikë nga kriteret e reja për zgjedhje në tituj
- Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për arsimin e lartë në vitin 2018, universitetet tona nuk gjenden të rënditura në listat ndërkombëtare. Profesorët kërkojnë dhe marrin paga më të larta, ndërsa nuk shkruajnë asnjë punim shkencor në vit. Kështu nuk mund të vazhdohet më - deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Shkup, 17 prill 2026 (MIA) - Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për arsimin e lartë në vitin 2018, universitetet tona nuk gjenden të rënditura në listat ndërkombëtare. Profesorët kërkojnë dhe marrin paga më të larta, ndërsa nuk shkruajnë asnjë punim shkencor në vit. Kështu nuk mund të vazhdohet më - deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se “po improvizojnë dhe manipulojnë të gjithë ata spekulantë politikë që thonë se me ligjin për arsimin e lartë po cenohet autonomia e universiteteve”.
"Ata në fakt kanë frikë nga kriteret e reja për zgjedhje në tituj. Në takimin që dje e organizoi MASH-i në Qeveri, rektorët e universiteteve shtetërore, praktikisht të gjithë, dhanë mbështetje për ligjin - deklaroi Mickoski pas vendosjes së gurthemelit për zgjerimin e SHFK “Strasho Pinxhur” në Gjorçe Petrov.
Siç tha , Universiteti ynë më i vjetër dhe më i njohur “Shën Cirili dhe Metodi”, ka rënë për rreth një mijë vende në renditjen e Listës së Shangait dhe, sipas tij, mund të mos jetë fare i renditur.
"Ndërsa diku dikur ishte i renditur. Tani, ata duan të punojnë një ditë në javë. Duan pagë 120-150 mijë denarë, por nuk duan të shkruajnë as një punim në vit, që është detyrë e tyre, një punim. Nuk duan të shkruajnë as një punim. Kjo është njësoj sikur unë, si kryetar i Qeverisë, të vij në punë gjysmë dite në javë dhe të kërkoj të kem dhjetë herë më shumë të ardhura dhe të mos mbaj përgjegjësi për asgjë në shtet. Kjo nuk funksionon kështu. Kjo Qeveri i rriti pagat si rezultat i marrëveshjes kolektive, dyfish për punonjësit universitarë. Dhe e di që do të ketë edhe të tillë që tani do të dalin e do të më kritikojnë edhe pse jam profesor i rregullt. Do të thonë se kjo ishte kështu apo ashtu dhe do të kërkojnë presje në deklaratën time, por thelbi është ky. Nuk duan të punojnë. Duan të kenë 6 orë në javë, të përqendruara në një ditë. Duan pagë 120-130-150 mijë denarë dhe të mos shkruajnë asnjë punim. Asnjë punim shkencor. Kjo nuk mundet kështu më", deklaroi Mickoski.

Kjo nuk mund të vazhdojë më, sepse puna e profesorëve dhe asistentëve në institucionet e arsimit të lartë përbëhet nga tre shtylla. Puna aplikative, arsimore, pra të ligjërojnë, puna aplikative të bashkëpunojnë në projekte me ekonominë e kështu me radhë. Dhe ajo shkencore, të shkruajnë punime. Kjo është ajo që kërkojmë. Në disa fakultete u pengonte “Web of Science”, mirë, e zgjeruam bazën, tani do të jetë edhe “Scopus”. Pa pagesë, kjo Qeveri u mundësoi qasje në bazat e revistave që janë pjesë e “Web of Science” dhe “Scopus”, prandaj nuk e di çfarë më shumë duhet të bëjmë. Duhet të punojnë, nëse duan dhe nëse duan të kemi të ardhme si shtet, duhet t’i përvishen punës.” ls/
Foto: MIA